Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit italian, Franco Baresi.
Ademi e cilësoi Baresin si një nga figurat më të mëdha të futbollit botëror dhe një prej mbrojtësve më të kompletuar në historinë e këtij sporti, duke theksuar se ai ishte simbol i besnikërisë, profesionalizmit, lidershipit dhe respektit për lojën.
Ai kujtoi gjithashtu se Baresi kishte vizituar dy herë Kosovën, ku kishte ndarë përvojën dhe vlerat e tij me komunitetin e futbollit.
“Ndarja nga jeta e Franco Baresit na trishtoi të gjithëve. Kontributi dhe emri i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së futbollit botëror”, ka shkruar Ademi.
Në fund, presidenti i FFK-së u shprehu ngushëllime familjes Baresi, AC Milanit, Federatës Italiane të Futbollit dhe të gjithë dashamirëve të futbollit.
Postimi i plotë:
🖤 Lamtumirë, Franco Baresi!
Sot futbolli botëror humbi një nga figurat më të mëdha të tij. Lajmi për ndarjen nga jeta të kapitenit legjendar të Milanit e Kombëtares së Italisë, një prej mbrojtësve më të kompletuar në historinë e këtij sporti, na trishtoi të gjithëve.
Baresi nuk ishte vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm, por edhe një simbol i besnikërisë, profesionalizmit, lidershipit dhe respektit që e karakterizon lojën më të bukur në botë.
Kosova do ta kujtojë me respekt të veçantë legjendën italiane, i cili në dy raste ishte për vizitë, duke ndarë me komunitetin tonë të futbollit përvojën, frymën dhe vlerat e një kampioni të madh.
Kontributi dhe emri i Franco Baresit do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së futbollit botëror.
Ngushëllime familjes Baresi, AC Milanit, Federatës së Futbollit të Italisë dhe të gjithë dashamirëve të futbollit.
🕊️ U prehsh në paqe, kampion i madh!








