Fushata ‘Një komunitet pa varësi’: Fëmijët në rre*zik nga dr*oga

Rreth 35 mijë persona vlerësohet se janë përdorues të substancave narkotike në Kosovë. Organizata që merren me të drejtat e fëmijëve ngre shqetësime se këto substanca po përdoren edhe nga një numër i madh i fëmijëve. Për këtë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, është hapur edhe fushata “Një komunitet pa varësi”.

Të shtyrë nga kurioziteti, ndonjëherë nga shoqëria, presioni e shkaqe të tjera, shumë të rinj ndër vite janë bërë viktima të përdorimit të narkotikëve.

Numri i përdoruesve të narkotikëve në vend vlerësohet se është rreth 35 mijë persona, një pjesë e të cilëve janë nën moshën 18 vjeçare.

”Para katër viteve te ne kanë ardhur persona të moshës 35-55 vjeç. Tashmë kanë filluar të moshës 25-35, dhe në mesin e tyre ka të moshës 18 vjeçare”, tha Safet Blakaj, drejtori ekzekutiv i Qendrës Labyrinth.

Zyrtarë të Qendrës për trajtimin e përdoruesve të narkotikëve, flasin për llojet e ndryshme të narkotikëve që përdoren në vend, përfshirë edhe kokainën, që përdoret më së shumti.

”Tashmë kemi shumë problem me përdorimin e kokainës. Ne na shqetëson rritja e shpejt e përdorueseve të kokainës e posaçërisht rënie e moshës së përdoruesve”, tha Blakaj.

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, në Prishtinë u hap fushata ”Një komunitet pa varësi”, me qëllimin për vetëdijesimin për rrezikun nga substancat narkotike.

”Po e përurojmë këtë instilacion në shenjë simbolike për të adresuar mesazhin tonë për nevojën e madhe për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i drogave. Situata në Kosovë nuk është e mirë”, tha Donjeta Kelmendi, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Substancat narkotike me vite të tëra kanë depërtuar edhe brenda hapësirave të institucioneve arsimore”, tha Krenar Batusha, Fondacioni “Rrethi i Besimit”.

“Si nivel lokal jemi pranë fëmijëve tanë dhe kemi pasur shumë fushata. E kemi edhe Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave e cila është gjithmonë afër fëmijëve dhe kemi edhe policinë e kryeqytetit e cila është afër shkollave”, tha Adelinë Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Prishtinë .

Sociologë në vend thonë se trajtimi i të rinjve të cilët përdorin substanca të tilla është mjaft problematik në vend.

Nga Qendra Labyrinth kanë thënë se gjinia mashkullore prin për përdorimin e narkotikëve, megjithëse sipas tyre, edhe numri i përdorueseve gra është mjaft i madh./rtk

The post Fushata ‘Një komunitet pa varësi’: Fëmijët në rre*zik nga dr*oga appeared first on Kosovapost.net.