Giorgio Furlani, administratori i deleguar i Milanit, foli gjatë një konference për shtyp në selinë e klubit kuqezi: “Herën e fundit që fola zyrtarisht, thashë se ishte momenti për të kthyer faqen dhe për t’u përqendruar jo te e kaluara, por tek e ardhmja dhe sezoni i ardhshëm. Pas përfundimit të kampionatit bëmë dy ‘blerjet’ e para: Igli Tare, drejtor me përvojë, që do të merret me merkaton dhe menaxhimin sportiv; dhe Max Allegri, trajner italian me shumë përvojë dhe me shumë trofe. Ata nuk do jenë të vetmit që do të afrohen. Nuk kemi nevojë për një revolucion të plotë, por do shtojmë pjesët e nevojshme në skuadër për të qenë gati për sezonin e ri. Objektivi ynë sportiv mbetet i njëjtë: të jemi konkurrues për të fituar trofe”.
A po krijohet një strukturë e re sportive krahasuar me vitet e fundit?
Po, këtë sezon kemi ndryshuar strukturën e zonës sonë sportive. E kuptuam që ishte e rëndësishme të kishim një figurë si Igli. Në periudhën që u njohëm me të, u bindëm që mund të arrinim rezultate së bashku. Sa i përket trajnerit, zgjodhëm një me përvojë, fitues, sepse kampionati italian ka specifikat e veta dhe përvoja është thelbësore.
A merrni në konsideratë edhe lojtarë me paga të larta?
Futbolli është thelbi i projektit të Milanit, kjo është e qartë. Ndonjëherë krijohet konfuzion sikur Milani është diçka tjetër dhe flitet vetëm për aspektin ekonomik. Të gjitha burimet tona financiare investohen me qëllim përmirësimin sportiv. Brenda këtij kuadri ka kufij dhe parametra: nëse shpenzon shumë në një drejtim, do të mungojnë në një tjetër. Objektivi është të arrijmë performancën më të lartë të mundshme, duke i ndarë burimet me kujdes.
Çfarë merkatoje pritet?
Nëse ka interesim për lojtarët tanë, është sepse janë të mirë. Sezonin e kaluar nuk kishin kontekstin e duhur dhe nuk dhanë maksimumin, por janë lojtarë të fortë. Prandaj nuk ka nevojë për revolucion, por interesimet nuk do të thotë që lojtarët janë në shitje.
Çfarë roli ka Ibrahimovic në këtë organizim të ri?
Për saktësi: Zlatan nuk ka qenë asnjëherë pjesë teknike e strukturës së klubit, ka pasur konfuzion për rolin e tij. Ai ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm për projektin e Milanit. Roli i tij është në nivel pronësie, nëse shkoni në faqen e ‘RedBird’ e kuptoni. Ai kontribuon në fushën sportive, komerciale, institucionale dhe përfaqësuese. Na ka ndihmuar si lojtar për të fituar titullin më 2022, ka një përvojë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Si u zgjodh Igli Tare?
Procesi ishte i gjatë, siç është normale në një klub serioz, kur kërkon të përzgjedhë një figurë kaq të rëndësishme për të ardhmen. Sipas meje është normale. Ajo që ka rëndësi tani është se kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe jemi duke punuar të gjithë në të njëjtin drejtim.
A është ende në tavolinë rinovimi i Maignan?
Ka pasur interesim nga një klub anglez, por nuk u vlerësua si diçka interesante. Mike është shumë i rëndësishëm për Milanin dhe ka qenë shumë korrekt, ashtu si edhe agjenti i tij. Ishin të hapur ndaj interesimit, por nuk pati asnjë presion nga ana e tyre. Për të ardhmen, në afat mesëm dhe të gjatë, do të vendoset në bazë të rezultateve.
A do të rinovojë Pulisic?
Christian ka ende tri vite kontratë me Milanin, rinovimi nuk është një urgjencë e madhe. Nga këndvështrimi i klubit dhe pronësisë, është një lojtar shumë i rëndësishëm.
A mjaftojnë drejtori sportiv dhe trajneri për t’i përballuar momentet e vështira?
Mund të duket sikur ka ndarje mes drejtorit sportiv dhe trajnerit nga njëra anë, dhe klubit nga ana tjetër, por ky është keqkuptim. Ne jemi një si e tërë, një trup i vetëm. Në kohë të vështira, si klub do të jemi aty pranë dhe do t’i mbështesim drejtorin e trajnerin.
Pse u zgjodh Allegri, ndryshe nga kursi i sezonit të kaluar? Çfarë ju bëri përshtypje?
Më bëri përshtypje njohja që ka për Milanin, për kampionatin italian dhe fakti që është trajneri në aktivitet me më shumë trofe në Serie A. Ka entuziazëm, e njeh klubin dhe ka dëshirë të madhe për të bërë mirë. Tare që në fillim tha se Allegri është njeriu i duhur për të nisur nga e para dhe për ta kthyer Milanin atje ku duhet.
Çfarë roli ka Moncada?
Geoffrey është te Milani prej shtatë vitesh. Është një aset i jashtëzakonshëm. Ka evoluar dhe mbetet drejtor teknik. Ka njohje të madhe të lojtarëve në Francë dhe gjetkë, identifikon talente në mbarë botën si pak të tjerë. Është dhe do të mbetet një figurë qendrore në projektin tonë.
The post Furlani zbulon prapaskenat: Ja pse zgjodhëm Taren dhe Allegrin pa ta ringritur Milanin appeared first on Telesport.