Fundi i Superligës? Edhe Real Madridi tërhiqet, arrihet marrëveshje me UEFA-n

Superliga Europiane mund të ketë marrë fund përfundimisht. UEFA dhe Real Madridi, së bashku me “European Football Clubs” (EFC), publikuan një komunikatë të përbashkët ku njoftonin arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme që çon në rrëzimin e projektit të Florentino Perez.

“Pas muajsh diskutimesh të zhvilluara në interes të futbollit europian, UEFA, EFC dhe Real Madrid CF njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje parimore për mirëqenien e futbollit europian, në respekt të parimit të meritës sportive, duke vënë theksin te qëndrueshmëria afatgjatë e klubeve dhe përmirësimi i përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë. Kjo marrëveshje parimore do të shërbejë edhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore lidhur me Superligën Europiane, sapo këto parime të zbatohen”.

Pak ditë më parë edhe Barcelona ishte tërhequr nga projekti i vitit 2021. Sipas “Gazzetta”, Real Madridi do të heqë dorë nga padia ndaj UEFA-s për 4.5 miliardë euro dëmshpërblim dhe do të rikthehet plotësisht në strukturat e futbollit europian. Tani mbetet të kuptohet çfarë koncesionesh do të ofrojë UEFA.

 

The post Fundi i Superligës? Edhe Real Madridi tërhiqet, arrihet marrëveshje me UEFA-n appeared first on Telesport.