Pas certifikimit të rezultateve, fillon të rrjedhë afati prej 30 ditësh, sa ka në dispozicion presidentja Vjosa Osmani për të ftuar seancën konstituive të Kuvendit. Sipas Kushtetutës, nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë Kuvendi mund të mblidhet edhe pa nismën e presidentit.
Procesit për zgjedhjet parlamentare, që nisi zyrtarisht më 11 maj të vitit të kaluar, këtë javë i erdhi fundi. Shpallja e rezultateve përfundimtare paraprakisht, shqyrtimi i ankesave për to e certifikimi nga Komisioni Qendror Zgjedhor, shënoi përfundimin e një procesi, që pati vëmendje të madhe e u përcoll me telashe, sfida e pakënaqësi.
Pas një fushate njëmujore të politikanëve, gjatë së cilës u shpalosën programe, u dhanë premtime e u shkëmbyen akuza, më 9 shkurt qytetarët e dhanë verdiktin.
Dita e zgjedhjeve u ngjau atyre të zgjedhjeve të organizuara përgjatë dekadës së fundit – pa incidente serioze e ndërhyrje dhe me pranim të rezultatit.
Pot, ditët pasuese u përcollën me zhurmë.
Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Zgjedhje, procesi u nda në disa faza. Pas asaj të zhvilluar ditën e votimit, në secilën prej komunave, në Qendra Komunale të Numërimit, janë numëruar votat e kandidatëve për deputetë dhe janë verifikuar ato për subjekte politike.
Numërimi i tyre nisi me vonesë e fillimisht në vetëm katër komuna nga 38 gjithsej. Qendrat Komunale të Numërimit u përballën me telashe, nisur nga mungesa e rrymës dhe problemet në sistem, e deri te kacafytjet mes vëzhguesve e komisionerëve, shkruan koha.
KQZ-ja arsyetoi telashet me realizimin për herë të parë të një procesi të tillë numërimi.
“Funksionalizimi i qendrave të numërimit është mjaft kompleks, duke pasur parasysh qindra aktivitete, të cilat duhet të zhvillohen këtu para se të bëhet gati një Qendër Komunale e Numërimit për të filluar procesin e numërimit të votave të kandidatëve dhe verifikimit të votave të subjekteve politike”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Vonesa në numërimin e votave u kritikua nga organizatat joqeveritare që monitoruan zgjedhjet, e kritika nuk u kufizua vetëm në këtë.
Me kalimin e ditëve, numërimi filloi të zhvillohej në të gjitha komunat e me më pak probleme, për t’u përmbyllur rreth dy javë nga dita e zgjedhjeve.
Përfundimi i numërimit shënoi nisjen e një procesi tjetër: atij të verifikimit e numërimit të votave të vëna jashtë shtetit.
Për të votuar nga mërgata, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë regjistruar 104 mijë e 924 qytetarë. Prej tyre, 15 mijë e 352 për të votuar nëpër përfaqësitë diplomatike e 68 mijë e 712 i kanë përcjellë votat me postë.
Numërimi i këtyre votave është bërë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. 18 ditë pas mbajtjes së votimit, që ndodhi të shtunën e 8 shkurtit në përfaqësi diplomatike, u hapën kutitë me vota të shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës.
Në 11 tavolina të vendosura në një pjesë të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, nisi numërimi i 15 mijë e 352 votave.
Përveç kushteve jo të përshtatshme, hapësirave të vogla e pa ajrosje adekuate, komisionerët e vëzhguesit u përballën edhe me vizita të shpeshta të anëtarëve të KQZ-së.
Të zhurmshëm ndaj vlerësimeve që u bëheshin fletëvotimeve të ardhura nga jashtë ishin anëtarët e Vetëvendosjes, të cilët disa herë me radhë janë bërë pjesë e debateve në QNR.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha synimin që rezultatet përfundimtare të 9 shkurtit t’i shpallte më së largu më 5 mars.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike është planifikuar të bëhet më së largu me datën 5 mars të vitit 2025, ndërkaq certifikimi i tyre, që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale dhe vendimet për to në PZAP dhe Gjykatën Supreme është planifikuar të bëhet deri më datën 18 mars. Natyrisht se ne po punojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet edhe më shpejt para këtyre planifikimeve që kemi bërë”, pati thënë më 24 shkurt zëdhënësi i KQZ-së, Elezi.
Një gjë e tillë nuk u realizua. E KQZ-së angazhim më të madh për përmbylljen e numërimit të votave, i kërkoi kryeministri Albin Kurti.
Para shpalljes së rezultateve në pjesën e dytë të marsit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përball me kërkesa për rinumërim. Pas pranimit të një ankese, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, urdhëroi rinumërimin e votave në një vendvotim në Vushtrri, me fokus te kandidatët e LDK-së për deputetë.
Rinumërimi konfirmoi dyshimet e ngritura për keqpërdorime, dhe çoi edhe në një vendim tjetër të KQZ-së – atë për numërimin në plotni të 35 vendvotimeve në Vushtrri. Krahas Vushtrrisë, rinumërimit iu nënshtruan edhe 15 vendvotime të tjera.
“Këto 15 vendvotime është rekomanduar që të procedohen për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike të cilat janë të shpërndara në tërë Kosovën… Këtë raport të ndryshmeve mes rezultateve të etabluara në Qendrën Komunale të Numërimit dhe Rezultateve të dala nga hetimi në QNR ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet diferenca mes votave të kandidatëve të hidhen në rinumërim të plotë”, pati thënë më 10 mars, anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani.
Rinumërimi zgjati rreth dy ditë, e një procesi të tillë iu nënshtruan edhe mbi 1 mijë e 600 fletëvotime të shpallura të pavlefshme.
Derisa procesi i numërimit shkoi drejt fundit, subjektet politike orientuan debatin te formimi i institucioneve.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që mori më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurti, nuk u ngut për t’i nisur përpjekjet për formimin e qeverisë, ndonëse me gjithë votat që mori nuk ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve që shumicën parlamentare ta bëjë vet.
“Një herë certifikimi i rezultateve”, pati thënë Kurti.
Certifikimin e rezultateve e priti edhe opozita. Por, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj konfirmoi se ka zhvilluar komunikime me liderë të partive të tjera opozitare, për të cilat shprehu bindje se mund ta formojnë qeverinë, nëse një gjë të tillë nuk e arrin partia fituese.
“Ka komunikim të ndërsjellë, nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese, por besoj që ka gatishmëri që të ecet. Besoj, ajo që na takon neve si opozitarë është që të bashkohemi dhe ta formojmë qeverinë nga opozita”, ka thënë Haradinaj.
Por, komunikimin me AAK-në e partitë e tjera opozitare e mohoi Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas mbledhjes pesorëshe të kryesisë së partisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, hodhi poshtë çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë dhe askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk ka pasur kontakt me asnjërën prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar… S`mund të mblidhen të tjerët për të konsumuar një afat që nuk ju takon. Edhe po të mblidhen, edhe po të takohen i takon prapë të parit që të nisë këtë proces… LDK e ka të qartë pozicionin e saj politik karshi LVV-së. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta. LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit”, pati thënë Abdixhiku.
Pak ditë nga mbajtja e mbledhjes së kryesisë, Lidhja Demokratike pësoi një dridhje. Anëtari i kryesisë së saj, njëherësh ish-kryeministri Avdullah Hoti, kërkoi që udhëheqësia e partisë të ndërrohet.
Hoti tek e vlerësoi të dobët rezultatin zgjedhor të LDK-së, tha se kjo parti duhet të reflektojë e të sjellë një lidership të ri.
Ai shprehu ankesë se në katër vjetët e udhëheqjes aktuale LDK-ja u distancua nga e kaluara dhe nga njerëzit që kanë qenë pjesë e saj, gjë që, sipas tij, e ka cenuar besimin e elektoratit tradicional të partisë.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është Kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë”, ka shkruar deputeti nga radhët e LDk-së, Avdullah Hoti.
Hoti tha se gjatë periudhës elektorale e edhe gjatë përpilimit të listës zgjedhore udhëheqja e LDK-së favorizoi persona të caktuar, duke e paraqitur një numër të ngushtë të tyre në fushatë e edhe në media.
Por, kërkesa e Hotit nuk u mor në konsideratë nga lidershipi i partisë.
Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili e quajti qesharake kërkesën e Hotit.
“Si nënkryetare e LDK-së deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12% dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka reagoi Kica-Xhelili.
Hotit i reagoi edhe nënkryetari tjetër, Lutfi Haziri, që tha se LDK-ja nuk u takon funksionarëve, por anëtarësisë.
“Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtetë të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka rënë morti”, ka shkruar Haziri.
Pakënaqësitë brenda partisë, anëtarët e LDK-së kanë nisur t’i shfaqin që me nisjen e publikimit të rezultatit zgjedhor. Ish-deputetja Rrezarta Krasniqi u ankua për manipulim votash brenda LDK-së në Vushtrri, gjë që u konfirmua pas rinumërimit.
E ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe ish-deputeti Driton Selmanaj e quajtën të manipuluar votën e diasporës brenda partive politike.
Më gjithë pakënaqësitë që shprehën paraprakisht, Hotit në krah nuk i dolën asnjë nga kolegët e tij në parti.
Pas përfundimit të ankesave në lidhje me procesin, rreth një muaj e një javë nga mbajtja e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare.
Nga këto rezultate Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e parë për nga numri i votave, me 42.30 për qind, rezultat që ia garanton 48 ulëse në Kuvend.
Pas saj, është Partia Demokratike me 20.95 për qind të votave apo 24 ulëse në Kuvend, Lidhja Demokratike me 18.27 për qind apo 20 ulëse në Kuvend dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.06 për qind të votave që ia sigurojnë 8 ulëse në Kuvend.
Nga radhët e komunitetit serb, Lista Serbe ka fituar 9 mandate deputetësh, e të dhjetin e ka fituar ZSPO-ja e ministrit Nenad Rashiq. Nga pakicat e tjera, tri mandate i ka siguruar komuniteti boshnjak, dy ai egjiptian, dy komuniteti turk, dhe nga një komuniteti rom, ashkali dhe goran.
Rezultatet kanë marrë formë zyrtare, me certifikimin që u bë të enjten.
Vonesën për shpalljen e rezultateve e arsyetoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Një nga arsyet ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat kanë shtuar detyra për KQZ-në. Arsyeja tjetër ndërlidhet drejtpërdrejt me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar që të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së.
Bazuar në rezultatet finale, 40 deputetë të legjislaturës së kaluar, pa përfshirë pakicat, do të mbesin jashtë Kuvendit.
18 deputetë të Vetëvendosjes nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re: Adnan Rrustemi, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Agon Batusha, Ardian Gola, Luan Aliu, Alban Bajrami, Nijazi Isaku, Vendenis Lahu, Nasuf Bejta, Shqipe Isufi, Enver Dugolli, Mirsad Shkreta, Mirlinda Tishukaj, Milazim Salihaj, Enver Haliti, Hidajet Hyseni dhe Jetmire Vrenezi.
Në PDK nuk arritën të rifitojnë mandate 8 deputetë: Rashit Qalaj, Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa, Xhavit Haliti, Floretë Zejnullahu, Hisen Berisha, Isak Shabani dhe Ardian Kastrati.
E, jashtë Kuvendit do të jenë edhe 6 ligjvënës të LDK-së: Shefi i grupit parlamentar Arben Gashi, si dhe deputetët Driton Selmanaj, Valentina Bunjaku, Vlora Dumoshi, Rrezarta Krasniqi e Drita Millaku.
Pjesë e Kuvendit nuk do të jenë shumica e deputetëve të AAK-së, përkatësisht 5 sish, të cilët shërbyen në legjislaturën që u përmbyll: Kryetari i grupit parlamentar Besnik Tahiri, si dhe kolegët e tij Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj, Albana Bytyqi. Nga kjo listë nuk siguroi mandat as Haki Abazi, që pati braktisur LVV-në dhe i ishte bashkuar AAK-së.
Ndërkaq mandatet i kanë humbur edhe tre deputetët që nuk e kaluan pragun zgjedhor me koalicionin për Familjen, Eman Rrahmani, Visar Korenica e Behgjet Pacolli.
E në legjislaturën e re, 31 deputetë do të marrin mandate për herë të parë.
Rezultati i certifikuar nuk dallon nga përfundimtari, ndonëse për të u bënë tri ankesa në Gjykatën Supreme. Ankesat u bënë, nën pretendimin për keqpërdorime gjatë procesit zgjedhor.
Lëvizja Vetëvendosje, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kërkoi anulimin e mbi 18 mijë votave të LDK-së e përsëritjen e votimit me postë.
“Te votimi me postë, disa kandidatë që kanë qenë shumë poshtë në listë dalin ndër të parët. Hysen Çekaj prej numrit 26 del i pari, kandidati i dytë më i votuar në Kosovë. Ndërsa pas kërkesës sonë për përfshirjen e votave me probleme teknike, ku aty shihet qartë që fletëvotimet kanë qenë të shtypura në kushte të shtëpisë në krahasim me këto të tjerat që janë shtypur me inxhiniering, në mënyrë të fabrikuar, shihet qartazi një shpërndarje po ashtu krejt normale, ku kandidati Hysen Çekaj dhe këta të tjerët dalin krejt shumë poshtë”, është shprehur Alim Rama, sekretar i LVV-së.
Ankesa parashtruan edhe koalicioni PDAK-LPK dhe kandidati për deputet i PDK-së, Perit Hajdari.
Që të tri ankesat u refuzuan nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e vendimet e tij u ankimuan në Gjykatën Supreme.
Certifikimit të rezultateve i hapën rrugën vendimet e Supremes për t’i refuzuar si të pabazuara të tria ankesat.
E certifikimi i rezultateve derisa përmbyll një proces të gjatë zgjedhor, hap dyert për nisjen e një procesi të ri, atij të konstituimit të institucioneve.
Në bazë të rezultateve, asnjëra prej partive nuk ka shumicën e nevojshme që e vetme ta formojë qeverinë.
Për Lëvizjen Vetëvendosje të pamjaftueshme janë edhe votat e 11 deputetëve nga pakicat joserbe, ndonëse përkrahja ende nuk është e konfirmuar nga të gjithë.
Në zgjedhje LVV-ja i ka siguruar 48 mandate në Kuvend e për ta formuar Qeverinë i duhen edhe 13 kandidatë për deputetë, të cilët kanë siguruar mandate në legjislaturën e ardhshme.
Në mënyrë që të formohet Qeveria, kabineti qeveritar e mandatari i saj duhet të marrin së paku 61 vota, të cilat të sigurta nuk i ka ende partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Por, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka lënë të hapur mundësinë për t’iu bashkuar Kurtit në Qeveri. Mandate siguruan tre kandidatë të Nismës, që garuan në koalicion parazgjedhor me AAK-në.
E, ka deputetë që i përkasin komuniteteve joserbe që janë deklaruar se nuk do të bënin koalicion me tri partitë opozitare, në rast të përpjekjes për ta lënë Vetëvendosjen në opozitë.
Elbert Krasniqi, që aktualisht mban detyrën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, ka shprehur bindjen se njëjtë do të veprojnë edhe partnerët e tjerë në koalicionin që qeverisi për 4 vjet.
“Mund të flas vetëm për veten, por nga diskutimi që kam edhe me kolegët e tjerë që janë edhe në qeveri, partnerë të kësaj qeverie Kurti II, vullneti i të gjithë atyre është që të jenë pjesë e qeverisë Kurti III. Besoj fuqishëm që të gjithë kolegët e mi nga komunitetet pakicë në Kosovë, që kanë fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë të bindur që politika e kushtëzimeve nuk funksionon dhe partneriteti zhvillohet në besimin e ndërsjellë”, ka thënë më 12 mars, Elbert Krasniqi, ministër i MAPL-së.
Pas certifikimit të rezultateve, fillon të rrjedhë afati prej 30 ditësh, sa ka në dispozicion presidentja Vjosa Osmani për të ftuar seancën konstituive të Kuvendit. Sipas Kushtetutës, nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë Kuvendi mund të mblidhet edhe pa nismën e presidentit.
Kuvendit të konstituar, presidentja ka për detyrë që t’ia propozojë edhe kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme për ta formuar Qeverinë. E kandidati për kryeministër, sipas interpretimit kushtetues, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe kërkon miratimin nga ana e deputetëve.
Për t’u konsideruar e zgjedhur, Qeveria duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas procedurës së njëjtë. Në zgjedhje vendi shkon nëse as herën e dytë nuk arrihet që të zgjidhet Qeveria.