Fundi i makthit, Paqueta shfryhet: “E kam thënë që nga dita e parë”

Makthi ka mbaruar vërtet: një komision rregullator i pavarur e ka shfajësuar Lucas Paquetá nga akuzat për manipulim ndeshjesh, gati dy vjet pasi FA (Shoqata Angleze e Futbollit) nisi një hetim.

Katër ndeshje të Premier League të luajtura nga mesfushori brazilian midis viteve 2022 dhe 2023 janë nën shqyrtim për kartonë të verdhë të marra “me qëllimin e papërshtatshëm për të ndikuar në tregun e basteve”.

Zëvendëspresidentja e West Ham, Karren Brady, lëshoi një deklaratë për kanalet zyrtare të klubit në lidhje me këtë çështje:

“Jemi të kënaqur që Lucas është shfajësuar nga akuzat. Ai gjithmonë e ka mbajtur pafajësinë e tij që nga fillimi, dhe si klub, ne e kemi mbështetur dhe shoqëruar fort gjatë gjithë procesit.

“Pavarësisht presionit të madh, Lucas vazhdoi të jepte gjithçka në fushë javë pas jave për klubin. Ishte një kohë e vështirë për të dhe familjen e tij, por ai ruajti profesionalizëm absolut dhe tani, si të gjithë te West Ham, dëshiron ta lërë pas këtë episod”.

Së fundmi, personi i përfshirë drejtpërdrejt, Lucas Paquetà, komentoi mbi rezultatin përfundimtar të hetimit:

“Që nga dita e parë e këtij hetimi, gjithmonë kam mbajtur pafajësinë time për këto akuza jashtëzakonisht serioze. Nuk mund të them më shumë në këtë kohë, por dua të shpreh mirënjohjen time ndaj Zotit dhe të them se sa i etur jam të kthehem të luaj futboll me një buzëqeshje në fytyrë.

“Gruas sime, e cila nuk më lëshoi kurrë dorën, West Ham United, tifozëve që më kanë mbështetur gjithmonë dhe familjes, miqve dhe ekipit tim ligjor që më kanë mbështetur: një falënderim i përzemërt të gjithëve”.

The post Fundi i makthit, Paqueta shfryhet: “E kam thënë që nga dita e parë” appeared first on Telesport.