Ftesa e Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, drejtuar Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka nxitur reagime të ndryshme nga analistët politikë.
Analisti Ylli Hoxha e vlerësoi këtë ftesë si një hap të drejtë dhe të domosdoshëm për tejkalimin e një “barriere të vetkrijuar” nga Kurti, e cila ishte ndërtuar mbi deklaratat për një qeverisje ekskluzive nga Vetëvendosje dhe një grusht deputetësh të tjerë.
“Në fakt, që nga nata e 9 shkurtit, është ditur që një qeverisje vetëm nga një krah është pothuajse e pamundur. Institucionet do të mund të krijoheshin vetëm përmes bashkëpunimit politik. Ftesa ndaj LDK-së është një sinjal që Vetëvendosja është e gatshme të bashkëqeverisë me një subjekt opozitar – cila do të jetë kjo parti, mbetet të shihet”, deklaroi Hoxha në emisionin “Debat Plus”.
Ai shtoi se ftesa ndaj LDK-së është sinjal për përgatitje për dialog dhe për krijimin e një qeverie më stabile, duke nënvizuar se LVV tashmë është duke hyrë në një fazë të re politike.
“Matematikisht e paqëndrueshme, politikisht edhe më e paqëndrueshme është një qeveri vetëm me deputetë të shpërndarë. Prandaj, gradualisht po hyjmë në fazën ku Vetëvendosja do të ketë nevojë për një koalicion qeverisës”, tha ai.
Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj e ka parë ndryshe këtë zhvillim. Ai e konsideroi letrën e Kurtit si një strategji për ta mbajtur LDK-në jashtë koalicionit dhe jo një ofertë të sinqertë për bashkëqeverisje.
“Nuk është e qartë për çka po e fton Kurtit Abdixhikun. Letra është e çuditshme dhe përmbajtja e saj nuk jep ndonjë sinjal të qartë për koalicion. Nëse është ftesë për krijimin e institucioneve, ajo duhet t’i dërgohet të gjitha partive, e jo vetëm LDK-së”, deklaroi Mushkolaj.
Sipas tij, letra vjen në një moment të veçantë – një ditë pasi Kurti deklaroi se Beogradi po ndërhyn dhe po i shantazhon komunitetet joserbe për të ndikuar në formimin e institucioneve. “Në këtë kontekst, letra duket si manovër politike e Kurtit, për të ndërtuar narrativën se po përpiqet të krijojë institucione me opozitën, por pa synim real për një partneritet qeverisës”, përfundoi ai.
Megjithatë, siç theksoi edhe Hoxha, barra për seancën konstituive bie mbi ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka bërë ftesa ndaj partive për datën 15 prill – një datë që Hoxha tha se “ende nuk i ka kushtet e pjekura për t’u mbajtur”.
Tani mbetet të shihet nëse kjo ftesë e Kurtit do të sjellë ndonjë rezultat konkret apo thjesht do të mbetet si pjesë e një loje strategjike në rrethanat komplekse të paszgjedhjeve në Kosovë.
Përpjekja më e fundit e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të rikthyer në tavolinën e bisedimeve Lidhjen Demokratike të Kosovës, është ballafaqur me një refuzim të prerë – një qëndrim i përsëritur që, sipas zyrtarëve të kësaj partie, nuk do të kishte minimumin e sensit kur vije nga “përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare.”
Përgjigjja e zyrtarëve të LDK-së ndaj letrës se Kurtit në adresë të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, nuk la vend për ekuivok nga zyrtarët e partisë së tij: “Jo” – një “jo” që, siç u theksua nga nënkryetari Lutfi Haziri, nuk është e re dhe nuk ndryshon.
“Ne kemi thënë jo. Ne e kemi thënë para dy javësh. Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.” – tha ai në “DPT me Fidanin”.
Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se katër vite kryeministri Albin Kurti i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare.
Reagimi i saj vjen në ditën kur Kurti i ka dërguar letër kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku, për takim rreth formimit të institucioneve.
Kica-Xhelili thotë se VV është ngritur vetëm në ndasi.
“Katër vite, kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare. VV është rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm. Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues”
Kica-Xhelili për Kurtin: Katër vite i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare
Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu ditëve të fundit e kanë dhënë pa-një-pa-dy se i kanë numrat për të ndërtuar qeveri: veç me pakicat jo-serbe – e madje edhe ndoshta me tre votat e Nisma-s.
Por, hiç më larg se dje Albin Kurti la të kuptojë se nuk i ka votat e pakicave jo-serbe në bllok: e pse nuk i ka e arsyetoi me “joshjen, shantazhin, instrumentalizimin” e tyre nga Beogradi dhe e shpalli çështje të sigurisë kombëtare.
Me shumicën shqiptare në anën jo të Kurtit, por të tri partive opozitare: PDK, LDK, AAK-Nisma – dje u zgjua indinjatë e madhe publike pas deklarimit të Kurtit se formimi i institucioneve të reja qenka në duart të një apo dy deputetëve të pakicës jo-serbe “të shantazhuar” nga Beogradi – kur plot 52 numra tjetër shqiptarë janë anatemuar plotësisht nga vetë Kurti, përtej rivaliteteve politike.
Numrat kurrëkund hiç, Kurtit nisin t’i ngushtohen udhët e pakicave jo-serbe