FSK-ja për herë të parë në stërvitje me KFOR-in, EULEX-in e Policinë

Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë do të marrë pjesë në stërvitje me misionin e NATO-s, KFOR, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës në aktivitetet trajnuese për menaxhim të krizave në skenarë të ndryshëm.

Siç ka njoftuar KFOR-i, aktivitetet trajnuese në kuadër të ushtrimit “Golden Sabre 2025” në kampin Vrellë do të mbahet më 9 dhe 10 qershor.

“Ky ushtrim do të testojë implementimin e procedurave të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm të sigurisë dhe do të ndihmojë në rritjen e aftësisë së subjekteve të ndryshme për të operuar bashkë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ushtrimi do të përfshijë personel prej 600 pjesëtarësh.

Sipas KFOR-i, ky ushtrim është demonstrim i bashkëpunimit të mirë dhe afatgjatë në mes të KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës.

“Për herë të parë, Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë po ashtu në këtë ushtrim, në përputhje me mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile, nëpërmjet aktiviteteve trajnuese mbi trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të municioneve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme”, thuhet në këtë njoftim.