Ekipet e Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit që u hodh nga ura në liqenin e Ujmanit.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar FSK-ja përmes një njoftimi të publikuar në Facebook.
Në njoftim theksohet se pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur.
“Me pranimin e urdhërit, ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur. Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Tutje bëhet e ditur se pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme.
The post FSK-ja gjen trupin e pajetë të personit që u hodh në Ujman appeared first on Kosovapost.net.