Fsahtin Curraj – turistët e konsiderojnë si sekretin e fundit të alpeve shqiptare (video)

Në skajin më verior të Shqipërisë, e kufizuar me Thethin dhe Valbonën, në bjeshkët e Tropojës gjëndet një nga vëndet më të magjishme të natyrës.

Bëhet fjalë për Currajn e Eperm, një luginë magjepëse, që ndanë Nikajn dhe Merturin dhe që konsiderohet nga turistet e huaj si sekreti i fundit i alpeve shqiptare. Prej një viti, falë investimit të vetë banorëve të zonës, tashme në Curraj të Epër mund të shkohet edhe me makinë, duke shmangur udhëtimin prej 5 orësh në këmbë.

Ky fshat turistik, për të cilin është dëgjuar shumë pak, u zbulua rreth 10 vite më parë, nga dy turistë çek, të cilët u nisën nga Thethi për në Valbonë por ngatërruan rrugën dhe përfunduan në Currajt e Eperm. Që prej asaj kohe, kjo zonë ka vizitorë të shumtë, kryesisht të huaj.

“Më pëlqen shumë natyra këtu. Teksa vështron rreth e rrotull, gjithçka është e këndshme, shikon male shumë të bukura, uji është fantastik dhe natyra është virgjer. Ne erdhëm në kembë deri këtu, ishtë një aventure e vështirë por ia vlejti. Do të qëndrojmë disa ditë, pastaj do të udhëtojme drejt Thethit”, thotë një turist çek, transmeton Top Channel.

Çesk Prebibaj, është një udherrefyesit turistik të Alpeve të Veriut i cili tregon se për këtë fshat ka interes nga turistët, por që fatkeqësisht mungojnë disa nga kushtet bazë.

Perveç bukurive natyrore, ku mund të vizitohen, ujëvarat, shpellat e shumta dhe mund të eksplorohen bjeshkët, vizitoret mund të ndalen edhe në kishen qindravjeçarë e cila ka një histori mjaft të veçantë.

Një tjetër e veçantë e kësaj zonë është fakti se brezat e kaluar, janë betuar dhe i kanë lënë amanet pasardhësve që tokat e tyre të mos i shesin apo t’ia dhurojnë personave të huaj, duke ruajtur në këtë mënyrë, kulturat dhe traditat e tyre.