Frikë nga një Çernobil i dytë në Zaporizhzhia, shpallet armëpushimi

Rusia dhe Ukraina bien dakord për ndaljen e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhzhias.

Rusia dhe Ukraina kanë njoftuar një armëpushim të përkohshëm në zonën përreth Centralit Bërthamor të Zaporizhzhias, mes shqetësimeve serioze për sigurinë bërthamore dhe rrezikun e një katastrofe të përmasave të Çernobilit apo Fukushimës.

Vendimi vjen në një çast kritik, teksa në central po kryhen ndërhyrje urgjente për riparimin e linjave të transmetimit të energjisë elektrike, të dëmtuara vazhdimisht nga bombardimet.

Sipas burimeve zyrtare, furnizimi me energji nga jashtë është ndërprerë disa herë për shkak të sulmeve, duke e lënë impiantin vazhdimisht në prag të një “blackout”-i total.

Situata u përkeqësua ndjeshëm gjatë muajve shtator dhe tetor, kur centrali përjetoi një ndërprerje rekord të energjisë së jashtme për plot një javë. Autoritetet ukrainase e cilësuan atë periudhë si “kritike”, duke paralajmëruar për rreziqe serioze për sistemet e ftohjes dhe sigurinë e reaktorëve.

Nga ana e saj, Rusia deklaron se situata aktualisht është “nën kontroll”, por njëkohësisht pranon se ekziston rreziku i pasojave me përmasa katastrofike, të krahasueshme me aksidentet bërthamore të Çernobilit apo Fukushimës, nëse furnizimi me energji do të ndërpritej për një periudhë të gjatë.

Ukraina, ndërkohë, fajëson drejtpërdrejt forcat ruse për bombardimet e vazhdueshme dhe për minimin e territorit përreth centralit, duke theksuar se këto veprime e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshëm riparimin e infrastrukturës energjetike.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, prej muajsh është kthyer në një nga pikat më të rrezikshme të konfliktit ruso-ukrainas, me komunitetin ndërkombëtar që ka ngritur vazhdimisht alarmin për pasojat e mundshme në rast të një aksidenti bërthamor.

Armëpushimi i përkohshëm synon të krijojë një dritare kohe për ndërhyrje teknike jetike, por mbetet e paqartë sa do të zgjasë dhe nëse do të mjaftojë për të garantuar sigurinë afatgjatë të centralit.