Marcus Thuram po ndjek programin e parashikuar nga stafi mjekësor i Interit për rikuperimin nga problemi i tij. Francezi e ka kaluar lodhjen e muskujve fleksorë, të pësuar kundër Monterrey, dhe është stërvitur rregullisht në pritje të ndeshjes së të hënës mbrëma, 1/8 finale të Botërorit për Klube, kundër Fluminense.
“E ka kaluar shqetësimin në kofshë, është në dispozicion të grupit, pastaj do të më takojë mua të vendos nëse do ta nisë nga fillimi”, – ka thënë trajneri zikaltër Cristian Chivu në prag të sfidës. Në seancën e djeshme kanë munguar Davide Frattesi dhe Pio Esposito, me këtë të fundit që ka kryer vetëm punë relaksuese.
Ish-mesfushori i Sassuolos kthehet në Itali, duke iu bashkuar lojtarëve të tjerë që kishin lënë SHBA për shkak dëmtimesh; Pavard, Bisseck, Zielinski dhe Calhanoglu (ky i fundit u pa pardje në Stamboll).
Frattesi po përballet me një lodhje muskulore (ekzaminimet kanë përjashtuar dëmtimet), por nuk do të jetë në dispozicion. Në këtë skenar, trajneri zikaltër mund të detyrohet të hedhë menjëherë në fushë Thuram përkrah Lautaro Martinez, ose të mbështetet te Valentin Carboni, vendimtar kundër Urawa, që nga minuta e parë.
Konfirmimi për rikthimin në Itali të Davide Frattesi ka ardhur nga vetë lojtari përmes rrjeteve sociale. Në një postim në Instagram, mesfushori shpjegoi arsyen e largimit nga grumbullimi në SHBA dhe nisjen drejt Milanos:
“Përshëndetje të gjithëve! Në marrëveshje me klubin dhe stafin teknik, do të kthehem në Itali për të kryer ekzaminime më të thelluara për shkak të një problemi që e kam nga ndeshja me Barcelonën. Shihemi së shpejti, dhe forca Inter, gjithmonë. Fat të madh uroj për shokët e mi të skuadrës”.
The post Frattesi kthehet në Itali. Chivu rikuperon Thuram, por jo Espositon për ndeshjen kundër Fluminense appeared first on Telesport.