Anëtari i kryesisë së partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se Vetëvendosje po i lutet LDK-së dhe Isa Mustafës që dikur e quanin argat të Serbisë i cili është fajtorë për sjelljen e Zajednicës në Kosovë.
Ai këto komente i ka bërë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se edhe nëse arrihet koalicioni LDK-VV, PSD nuk i frikësohet një koalicioni të tillë, përcjell Fokusi.info.
“Le ta bëjnë këtë koalicion. Për dallim prej tyre ne nuk frikësohemi prej një koalicioni të tillë. Le të bëhet dhe ta shohim sesa janë parimorë. Mirëpo VV po i lutet LDK-së të Isa Mustafës që sipas tyre ka qenë argat i Serbisë, i cili e ka sjellë Zajednicën. Nëse këto dy parti kanë pasur kritika ndaj njëra-tjetrës më herët; sot mos t’i akuzojnë të tjerat”.
“Po kërkoj që t’i lëmë llafet dhe t’i prezantojmë programet tona në mënyrë që të shohim se cila parti i ka argumentet më të mira. Unë mund t’i ftoj subjektet tjera politike që të bëhemi bashkë në mënyrë që ta përmirësojmë gjendjen e krijuar në vend”.
“PSD-ja gjatë marrëveshjes së arritur me AAK-në, ka kërkuar një klauzolë e cila thotë se nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë të futemi në koalicion me PDK-në”.
I pyetur rreth mundësisë që AAK në minutë të fundit të hyjë në koalicion me PDK-në, Krasniqi ka thënë se nuk ka dyshime për një gjë të tillë.
“PSD nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në dhe jam 100 për-qind i bindur që as AAK nuk do të hyjë në moment të fundit në koalicion me PDK-në”.
“Synimet mes dy partive të koalicionit do të arrihen sepse këto gjëra bëhen me marrëveshje. Ne në situata të caktuara kemi bashkëpunuar me Qeveri që kanë qenë të pozicionit të djathtë dhe janë realizuar punë të orientimit të majtë”.
“Pozicioni i PSD-së është që Kuvendi të shpërbëhet sa ma shpejt dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Me datë 22 do të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe vendi do të shkojë sa më shpejt në zgjedhje sepse të gjitha partitë janë dakord me këtë gjë”.