Franca qorton Kurtin e Osmanin, u kërkon demokraci funksionale: Roli i mediave të lira është thelbësor

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të premten është takuar me presidenten Vjosa Osmani, ku gjatë takimit është diskutuar për situatën politike në vend dhe procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

“Theksova rëndësinë që të gjitha partitë politike të jenë në gjendje të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të jenë plotësisht gjithëpërfshirëse. Roli i mediave të lira është gjithashtu thelbësor në një demokraci funksionale. Gazetarët duhet të respektohen dhe, nëse është e nevojshme, të mbrohen”, ka shkruar Guerot pas takimit me Osmanin.

Tutje Ambasadori francez ka përsëritur shpresën e Francës që zgjedhjet e 28 dhjetorit të çojnë drejt formimit të një qeverie të re, duke thënë se vendit të tij “i nevojitet një partner i plotë për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”.

“Shpreha shpresën e Francës që zgjedhjet e 28 dhjetorit të çojnë në formimin e një qeverie. Ne kemi nevojë për një partner të mirëfilltë për të kontribuar në stabilitetin në rajon dhe për të zhvilluar marrëdhëniet tona dypalëshe. Informova Presidenten Osmani për dëshirën tonë për të mbështetur tranzicionin energjetik, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, si dhe shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve tona”, tha ndër të tjera ai. /gazetametro.net