Presidenti francez Emmanuel Macron, ai britanik Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, dënuan sot “pa mëdyshje” “vrasjen e protestuesve” dhe “dhunën” e kryer nga forcat e sigurisë në Iran, në një deklaratë të përbashkët në të cilën të tre udhëheqësit u bëjnë thirrje autoriteteve iraniane të “tregojnë përmbajtje”.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet për dhunë nga forcat iraniane të sigurisë dhe e dënojmë fuqimisht vrasjen e protestuesve”, shkruan udhëheqësit e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, duke u bërë thirrje autoriteteve iraniane të “përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve iranianë”, ndërsa një valë protestash ka sfiduar regjimin e Republikës Islamike, e cila ka sunduar që nga viti 1979, në ditët e fundit.
“Autoritetet iraniane kanë përgjegjësinë të mbrojnë popullin e tyre dhe duhet të garantojnë lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor pa frikë nga hakmarrjet”, shtuan presidenti francez, kryeministri britanik dhe kancelari gjerman në këtë deklaratë të përbashkët.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi sot se Republika Islamike nuk do të “tërhiqet” përballë kësaj vale protestash, e cila është rritur në shkallë dhe ka zgjatur për 13 ditë.
Të paktën 48 protestues, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në të gjithë Iranin që nga fillimi i demonstratave më 28 dhjetor, sipas një numërimi të njoftuar sot nga OJQ-ja me seli në Norvegji, Iran Human Rights.










