Franca dhe Gjermania mbështesin rifillimin e dialogut

Më 10 korrik, Kosova dhe Serbia do të takohen në mënyrë virtuale në samitin e organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron më 10 korrik (e premte), do të organizojnë një samit virtual në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Stefan Schneiderhan, ka thënë për lajmi.net, se qëllimi i këtij samiti është mbështetja e rifillimit të dialogut.

I pyetur nga lajmi.net, se çka konkretisht do të diskutohet në këtë takim virtual dhe se a pritet të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Schneiderhan ka thënë se të gjitha detajet do të bëhen publike pas takimit përmes një kumtese për medie.

“Qëllimi i video-konferencës është të mbështes vazhdimin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Pas video-konferencës do të publikohet një komunikatë për media”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Stefan Schneiderhan.

Schneiderhan ka konfirmuar se pjesë e këtij takimi virtual do të jetë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si dhe Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian si dhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Nikoqirëve në këtë video-konferencë do t’ju bashkohen presidenti Vuçiq, kryeministri Hoti, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell dhe i dërguari special i BE-së, Lajçak”, ka treguar Schneiderhan.

Theksojmë se, samiti virtual, i paraprin rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili nga Bashkimi Evropian është paralajmëruar se do të rinisë më 12 korrik, ku në Bruksel do të takohen krerët politikë të Prishtinës dhe Beogradit.