Dy vendet po shqyrtojnë reduktimin drastik të projektit duke u fokusuar vetëm te zhvillimi i një sistemi të avancuar komandimi dhe kontrolli.
Franca dhe Gjermania po diskutojnë mundësinë e heqjes dorë nga ideja për të ndërtuar së bashku një avion të ri luftarak, pjesë e projektit ambicioz të mbrojtjes FCAS/SCAF me vlerë 100 miliardë euro, raportoi të hënën Financial Times.
Sipas burimeve të cituara, dy vendet po shqyrtojnë reduktimin drastik të projektit duke u fokusuar vetëm te zhvillimi i një sistemi të avancuar komandimi dhe kontrolli – i njohur si “combat cloud” – duke lënë mënjanë komponentin më prestigjioz: avionin luftarak të gjeneratës së re.
Bisedimet vijnë në prag të takimit të ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, me homologen franceze Catherine Vautrin në Paris, ndërsa Parisi dhe Berlini, bashkë me Spanjën, po përpiqen të ringrenë në binarë projektin pas vonesave të shkaktuara nga kriza politike franceze.
Tensionet brenda konsorciumit nuk janë të reja. Gjermania ka akuzuar më herët industrinë franceze – në veçanti Dassault Aviation – se ka bllokuar fazën e radhës duke kërkuar drejtimin e vetëm të zhvillimit të avionit.
Ndërsa takimet e nivelit të lartë pritet të rinisin, e ardhmja e projektit mbetet e paqartë, me mundësinë reale që FCAS-ja të transformohet nga një iniciativë për një avion revolucionar, në një sistem komandimi pa komponentin e tij kryesor të fluturimit.











