Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se vendi i tij do ta marrë kontrollin e tërë Gazës, ndërsa tre aleatë kyçë i kritikuan përshkallëzimin “skandaloz” të fushatës ushtarake dhe bllokadës ndaj ndihmave humanitare.
Britania, Franca dhe Kanadaja e kritikuan zgjerimin e luftës nga Izraeli, duke e quajtur veprim joproporcional, kushtet në Gaza i përshkruan si “të patolerueshme” dhe kërcënuan me kundërpërgjigje “konkrete”, nëse fushata ushtarake vazhdon, raporton gazeta “The Guardian”.
Më herët të hënën, ushtria izraelite shpalli një qytet të tërë si zonë luftimesh, më shumë se 60 njerëz u vranë nga sulmet ajrore dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, tha se ushtria e vendit të tij do ta “shkatërrojë” atë që do të mbetet nga Gaza palestineze.
“Ne nuk do të rrimë pa bërë gjë, përderisa qeveria e Netanyahut i ndjek këto veprime skandaloze. Nëse Izraeli nuk e ndal ofensivën e përtërirë ushtarake dhe nuk i heq kufizimet ndaj ndihmave humanitare, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejme konkrete si kundërpërgjigje” – thanë të hënën në një deklaratë qeveritë e Francës, Britanisë dhe Kanadasë.
Netanyahu iu kundërpërgjigj kësaj deklarate, duke thënë se Izraeli do të vazhdojë që ta mbrojë veten derisa të arrihet fitorja e plotë. “Udhëheqësit në Londër, Otavë dhe Paris po ofrojnë një shpërblim të madh për sulmin gjenocidal ndaj Izraelit më 7 tetor, përderisa po ftojnë më shumë mizori të tilla” – tha ai.
Presioni ndërkombëtar për shkak të rrezikut prej vdekjes nga uria e detyroi kryeministrin izraelit që të dielën në mbrëmje të njoftonte një lehtësim të bllokadës 11-javore të Gazës dhe ta lejonte hyrjen e një sasie të ndihmave në mënyrë që të parandalohet, siç tha ai, një “krizë e vdekjes nga uria”.