Fotografia që tregon gjithçka për fatin e postit të presidentit

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot morën pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Grupin Luftarak shumëkombësh Lindje.

Kjo pamje e Osmanit me shprehje te ngurtë të fytyrës tregon gjithçka për fatin e saj për mandatin e dytë si presidente.

Përplasjet janë reflektuar edhe në mospërputhje publike, heshtje të qëllimshme në raste të caktuara dhe mungesë koordinimi të dukshëm mes Presidencës dhe Qeverisë. Kjo ka ushqyer perceptimin se raportet mes dy institucioneve kryesore të shtetit janë më shumë konkurruese sesa bashkëpunuese.

“Kurti synon një president që do të jetë nën kontrollin e tij në momentet e rëndësishme politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve në Kosovë.

Ai vlerëson se veprimtaria diplomatike e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i pengon llogaritjet e Kurtit, ndaj është në kërkim të një emri të ri.

Të hënën, më 23 shkurt, Kurti deklaroi se po bën çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, që do të pasonin nga moszgjedhja e presidentit.

Anëtarë të familjes së heroit kombëtar Adem Jashari kanë mohuar se kanë ndonjë interes për të garuar për postin e presidentit të Kosovës, pavarësisht deklaratave se një emër nga kjo familje do të siguronte “konsensus automatik” në skenën politike.

Murat Jashari ka theksuar se familja Jashari i përket gjithë shqiptarëve dhe nuk duhet të përfshihet në kalkulime të zakonshme politike. Sipas tij, një përgjegjësi e tillë do të mund të merrej parasysh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si në rast të ndonjë rreziku të madh kombëtar, por jo në kushte normale politike.

Ai ka theksuar se mbi supet e tij rëndon një barrë e madhe morale dhe historike, duke shtuar se nuk dëshiron që emri i familjes Jashari të përdoret për interesa politike.

Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe Bekim Jashari, i cili ka deklaruar se pajtohet plotësisht me këtë vendim dhe se nuk ka asgjë për t’i shtuar.

Refuzimi i qartë nga dy figura të njohura të familjes Jashari vjen në një moment kur Kosovës i duhet të zgjedhë presidentin e ri brenda një afati të ngushtë kohor, për të shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme.

Me afrimin e afatit kushtetues, mbetet të shihet nëse Kurti dhe shumica parlamentare do të arrijnë të nxjerrin një kandidat të pranueshëm për të gjitha palët, apo vendi do të shkojë drejt një tjetër krize politike dhe zgjedhjeve të reja.

Kanë ngelur vetëm edhe pesë ditë deri në afatin e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të votojë për ta zgjedhur presidentin e ri, përndryshe, sipas Kushtetutës, ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin për mandatin e ri më së largu deri më 4 mars.

Presidentja e ka bërë të ditur synimin për një mandat shtesë, mirëpo votat e nevojshme duket se nuk i ka.

Ajo e fitoi mandatin e parë me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), mirëpo kjo parti tani nuk e përmend emrin e saj. Partitë opozitare e kanë kritikuar me raste se ka qenë e njëashme në të mirë të LVV-së dhe nuk duket se kanë disponim për ta votuar për një tjetër mandat.