Albin Kurti, thuajse shumicën e kohës po e kalon në Mitrovicë për t’i dalë në ndihmë kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të komunës, Faton Pecit. Në këtë angazhim elektoral, sipas pamjeve dhe dëshmive nga qytetarët, në funksion janë vënë edhe asetet shtetërore, përfshirë eskortën dhe veturat zyrtare të Qeverisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po qëndron pothuajse çdo ditë në Mitrovicë për të mbështetur kandidatin e LVV-së, Faton Pecin, i cili është në garë për kryetar të komunës.
Pamje dhe video të publikuara nga qytetarët tregojnë eskortën e Kurtit duke lëvizur nëpër qytet edhe gjatë natës, ndërsa vetë zyrtarët e VV-së po shfaqen në çdo takim elektoral në mbështetje të Pecit.
Një qytetar ka shpërndarë fotografi të eskortës zyrtare të Kurtit, duke shkruar: “Po më dhimbset, deri tash gati ora 1:00, tuj u mundu me shpëtu Faton Pecin nga humbja”, shkruan Demokracia.com.

Kjo ka nxitur reagime në rrjete sociale, pasi po ngrihen dyshime se veturat e shtetit dhe resurset publike po përdoren për fushatë elektorale në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu edhe qytetari nga Mitrovica, Ali Vinarci, ka publikuar një fotografi duke treguar veturat e Faton Pecit në oborrin e tij. Ai ka treguar se prania e tyre ishte e paautorizuar dhe e papranueshme.
Sipas Vinarcit, Faton Peci futi veturat në oborrin e tij në orën 22:00 të natës.
“Gjatë natës së djeshme, rreth orës 22:00, disa vetura u panë të parkuara në oborrin tim pa lejen time. Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci, ndodhej në një takim në lagje, ndërsa disa persona vartës të tij qëndronin brenda dhe jashtë këtyre veturave, duke shkaktuar shqetësim në orët e vona të mbrëmjes. Pas rreth një ore, dolëm dhe, me mirësjellje, kërkuam që ata të largoheshin nga prona jonë private”./Demokracia.com/.











