Me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurti është hapur rruga për formimin e institucioneve të reja. Nisja e afateve për këtë çështje nuk dihet se kur do të fillojë, meqenëse ende nuk është caktuar data e thirrjes së seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i VV-ja, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse ka filluar diskutimet me subjektet tjera politike për formimin e qeverisë së re. Ndonëse më herët kishte thënë se për këtë çështje do të flasë pas certifikimit të rezultateve, ai sot ka refuzuar ta bëj një gjë të tillë.
Derisa largohej nga ceremoni e diplomimit të 344 rekrutëve të FSK-së, gazetarët disa herë e kanë pyetur, nëse ka filluar diskutimet me ndonjë subjekt politik për formimin e qeverisë së re, por ai ka refuzuar të përgjigjet.
Ndryshe nga Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është përgjigjur në interesimin e gazetarëve për këtë çështje.
Presidentja ka thënë se ekipi e saj ligjore është duke e analizuar situatën se kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit.
Shefja e shtetit ka thënë se data për këtë seancë do të dihet shumë shpejt, transmeton nacionale.
“Ka ardhur shkresa zyrtare nga KQZ ku na njofton me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ulëset. Ka afat prej 30 ditësh që parashihet për thirrjen e seancës. Ekipa ime ligjore po analizon se sa mund të ketë nevojë për kohë, për përgatitje të seancës, në mënyrë që kur thirret seanca të jetë e suksesshme, gjithçka do të bëhet brenda afatit. Nuk mund të jap datë, por shumë shpejt do ta kemi datën”, ka thënë Osmani.
Për çështje e formimit të qeverisë së re, një ditë pas certifikimit të rezultateve, ka folur kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai përsëri ka treguar gatishmëri për të marrë përgjegjësi në këtë drejtim.
Në një konferencë për media, ai ka konfirmuar se është duke bisedime me tri partitë opozitare për çështjen e formimit të qeverisë së re.
“Po, jemi në biseda. Dhe fatbardhësisht asnjë barrierë në komunikim me asnjë parti politike nga ana ime nuk ekziston. Jam i gatshëm me të gjithë me bisedu. Jemi në biseda edhe LDK, edhe AA, edhe me Nismën dhe me subjektet tjera”, ka thënë ai.
Hamza ka treguar se bisedat ende nuk kanë arritur deri aty se të flitet për poste.
“Nuk kemi mbërri deri në fazën se di do të duket formula e qeverisë, por jemi duke biseduar. Prandaj, nëse vjen radha, sigurisht e unë jam i përgjegjshëm dhe shumë i përkushtuar që vendit me i dhënë institucione. Nuk kem mbërri deri të çështjen e ndarjes së posteve”, ka thënë Hamza.
I pyetur për kushtin e LDK-së në lidhjen me postin e kryeministrit, ai ka thënë se renditja është e qartë.
“Unë e vlerësoj shumë votën e qytetarëve të Kosovës dhe i kam falënderuar pa dallime partiake, megjithatë renditja e rezultatit është e qartë, ne jemi partia e dytë e cila i ka 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë nuk kemi pasur kërkesë as bisedë se qysh ka me u dokë qeveria e ardhshme e Kosovës. Radha dihet dhe ne do të bisedojmë mbi bazën e kësaj,” ka thënë Hamza.
Ai ka bërë me dije se çdo vonesë në krijimin e institucioneve të reja është e paarsyeshme dhe e dëmshme për Kosovën.
“Kosovës në këtë fazë nuk i nevojitet vakum institucional. Nuk e kemi komoditetin si vend me pas vakum institucional. Edhe për shkak të situatës gjeopolitike dhe për shkak të sfidave dhe problemeve që na presin”, ka thënë Hamza.