Tri ditë para përfundimit të afatit kushtetues për formimin e qeverisë, procesi politik në Kosovë mbetet i bllokuar. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ende nuk ka arritur marrëveshje me asnjërën nga partitë e tjera për krijimin e shumicës parlamentare.
Drejt fundit është afati prej 15 ditësh, brenda të cilit i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, duhet që ta paraqesë për miratim në Kuvend përbërjen e qeverisë së re dhe të programit të saj.
Teksa kanë mbetur edhe tri ditë kohë për këtë, subjektet politike nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre, të paktën jo publikisht.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka thënë se në partinë e Kurtit – Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) – janë duke munguar përpjekjet për të bërë kompromise me subjektet e tjera politike, në drejtim të formimit të qeverisë së re.
“Nuk po shoh edhe fort përpjekje të subjektit fitues të zgjedhjeve parlamentare që të bëjë kompromise politike me ndonjë subjekt parlamentar të caktuar sa i përket çështjes së formimit të qeverisë. Dhe këto lloj kompromisesh nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë, por edhe me shumë tema të tjera të cilat janë edhe interes i madh i Kosovës”, ka thënë ai.
E, në mungesë të arritjes së marrëveshjeve politike me subjektet politike, Bugaqku ka thënë se mund të ketë bashkëpunime të dakorduara me deputetë të caktuar.
“Po vërehet që ka një tendencë të diskutimit privat me deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës dhe mbase ata janë duke bërë përpjekje që në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë ndonjë deputet, i cili jep votën pro formimit të Qeverisë dhe pro kabinetit të Qeverisë Kurti 3”, ka thënë Bugaqku.
Ai ka shprehur pritjen që seanca për votimin e qeverisë së re të ftohet në ditët në vijim, porse nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryesia e Kuvendit të mblidhet edhe të dielën.
Rashiq: Zgjedhjet ose në mesin e dhjetorit, ose në fillim të shkurtit mund të mbahen
“Nëse lihet në ditën e fundit, unë e shoh paksa problematike çështjen e ftesave për deputetët, sepse mendoj që ata së paku dy ditë më herët duhet të ftohen paraprakisht dhe duhet ta kenë të ditur informacionin që të dielën do të ketë seancë”, është shprehur ai.
Sipas hulumtuesit të KDI-së, veprimet e kryesisë janë të lidhura edhe me vendimin eventual të Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën e përkohshme të kërkuar nga Lista Serbe. Ky subjekt politik, i cili i përfaqëson serbët e Kosovës dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka adresuar ankesë në Kushtetuese lidhur me mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Vendimin për ankesë, Kushtetuesja pritet që ta nxjerrë së shpejti.
“Palët janë duke e pritur edhe ditën e nesërme, nëse eventualisht gjykata lëshon ndonjë opinion ose vendim sa i përket vendosjes ose jo të masës së përkohshme, apo edhe sa i përket lansimit ose publikimit të plotë të vendimit bazuar në kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe”, ka theksuar Bugaqku.
Analisti politik Agon Maliqi ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dëshmuar se dëshiron të qeverisë i vetëm dhe se nuk i pëlqen të bëjë konsensus për bashkëqeverisje me të tjerët. Sipas tij, shembujt nga e kaluara i japin të drejtë opozitës të mos i besojë Kurtit për bashkëqeverisje.
Kurti është mandatar për një qeveri të re, pas konstituimit të Kuvendit nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka kohë deri të dielën të çojë në Kuvend ekipin qeverisës dhe të sigurojë shumicën për të qeverisur. Deri tash zyrtarisht nuk ka marrëveshje që ia siguron numrin prej 61-votash. Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë.. Ai e ka përkrahjen edhe prej 7 deputetëve të komunitetit joserb si dhe të Nenad Rashiqit. E i duhet t’i sigurojë edhe së paku 5 deputetë.
Sipas Maliqit, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka thënë se Kurti ka hezituar që prej shkurtit të ndërtojë një qeveri. Sipas tij, është në pikëpyetje edhe çështja nëse Kurti dështon e mandatari i takon partisë së dytë.
Maliqi: Kurtit s’i pëlqen të ndajë pushtetin, opozita me të drejtë nuk i beson
Nënkryetarja e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, është pyetur rreth përpjekjeve për krijimin e institucioneve të reja.
Ish-ambasadorja është pyetur nëse PDK do të provojë të krijojë një qeveri të re në rast se Kurti do të dështojë, megjithatë ajo është shprehur se është shumë vonë dhe se zgjedhjet janë të pashmangshme.
Çitaku ka thënë se pas shpalljes së rezultateve të 9 shkurtit, PDK kishte pasur takime për këtë çështje, por mungesa e numrave kishte qenë problematika kryesore.
“Ne kemi bërë përpjekje menjëherë pas shpalljes së rezultatit zgjedhor. Kemi pasur takime me liderët për të ndërtuar shumicë parlamentare. Por në atë kohë është bërë e qartë që kemi mungesë numrash. Por tash, është bërë shumë vonë. I ka humbur kuptimi këtij Kuvendi. Që nga muaji shkurt e deri në tetor, e turpshme çfarë shfaqjesh kemi parë”, ka thënë Çitaku në një intervistë në FRONTAL
“Ne duhet të shkojmë në zgjedhje të reja.Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, që të kemi rikonfirmim të vullnetit të qytetarëve”, ka shtuar ajo.
Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota që ta sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për miratimin e suksesshëm të mandatarit. Si parti fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje ka 48 deputetë. Ajo ka përkrahje edhe nga shtatë deputetë të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.
Sipas Kushtetutës, në rast se Qeveria nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja brenda 10 ditësh e mandaton një tjetër kandidat. E nëse ekzekutivi dështon që të zgjidhet edhe për herën e dytë, atëherë presidentja i shpall zgjedhjet, të cilat duhet që të mbahen brenda 40 ditësh që nga shpallja.