Forbes ka publikuar njerëzit më të pasur sipas shteteve – edhe shqiptarët kanë një miliarder në listë

Forbes publikoi njerëzit më të pasur sipas shteteve. Derisa Elon Musk vazhdon të kryesojë listën globale të njerëzve më të pasur në botë, miliarderët po shfaqen në gjithnjë e më shumë shtete – nga Afganistani dhe Algjeria deri te Vietnami dhe Zimbabveja.

Sipas përmbledhjes më të fundit të revistës Forbes, këtë vit 80 shtete dhe territore kanë të paktën një miliarder, dy më shumë se vitin e kaluar.

Historitë e miliarderëve shpesh janë shumë të ndryshme. Një nga shembujt më interesantë vjen nga Afganistani. Sipërmarrësi Mirwais Azizi u largua nga lufta sovjeto-afgane në vitin 1988 me vetëm 700 dollarë në xhep. Pasi mbërriti në Dubai, ai nisi biznes në industrinë e tekstilit, ndërsa më vonë kaloi në sektorin e patundshmërive. Sot kompania e tij Azizi Developments ka më shumë se 60 projekte dhe po ndërton një kullë që pritet të bëhet e dyta më e larta në botë.

Afganistani nuk është i vetmi shtet që së fundmi ka fituar miliarderin e tij të parë. Pakistani, për shembull, është rikthyer në listën e Forbes falë sipërmarrësit të ri Sualeh Asif, bashkëthemelues i mjetit të inteligjencës artificiale për programim Cursor. Pasuria e tij vlerësohet në më shumë se një miliard dollarë.

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, sipas Forbes

Në krye të renditjes globale mbetet Elon Musk, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 839 miliardë dollarë, që është vlera më e lartë neto që Forbes ka regjistruar ndonjëherë. Pas tij vijnë shumë miliarderë të teknologjisë dhe industrisë, ndër ta edhe bashkëthemeluesi i Google, Larry Page.

Në listën e Forbes është përfshirë edhe Shqipëria. Si personi më i pasur i lidhur me këtë shtet përmendet biznesmeni Samir Mane, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 1.9 miliardë dollarë.

Pasuria e Manes, vitin e kaluar nga revista Forbesishte regjistruar në kuotën e 1.4 miliardë dollarëve.

Ai është themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me qendër në Tiranë, Shqipëri.

Mane u largua nga regjimi komunist i Shqipërisë në 1991 dhe u transferua në Austri si refugjat.

Ai hapi dyqanin ‘Neptun’, një zinxhir dyqanesh elektronike në Shqipëri në vitin 1998 dhe u kthye në 2005 për të hapur qendrën e parë tregtare në vend.

BALFIN zotëron gjithashtu prona të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri si dhe parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri.