Paulo Fonseca nuk përdor fjalë të buta. Protagonist i një sezoni të nivelit të lartë në stolin e Olympique Lyon, trajneri portugez është dalluar jo vetëm për rezultatet në fushë, por edhe sinqeritetin jashtë saj. Në një intervistë për “L’Équipe”, ish-trajneri i Romës dhe Milanit foli për konfliktin në Ukrainë, një çështje që e prek drejtpërdrejt pas eksperiencës profesionale në atë vend dhe lidhjes personale me bashkëshorten e tij ukrainase.
Gjatë intervistës, Fonseca kritikoi hapur presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke e akuzuar se ka vënë interesat ekonomike mbi mbrojtjen e njerëzve më të pambrojtur. “Qëndrimi i presidentit amerikan ishte të harronte, të injoronte më të dobëtit dhe të qëndronte në anën e interesave të veta ekonomike. Nuk mendoi për njerëzit, mendoi për paratë”.
Trajneri komentoi edhe dhënien e Botërorit 2026 SHBA-së: “Nuk e di nëse futbolli është mënyra më e mirë për të protestuar, por ka gjëra të papranueshme. Çmimi i paqes i FIFA-s për Trump? Është shumë e trishtë. Futbolli nuk e meriton këtë. Është turp”.
The post Fonseca kritikon Trump: Injoron të dobëtit, mendon për paratë. Çmim për paqen? Turp i FIFA-s appeared first on Telesport.









