Fondacioni gjerman ishte turpëruar nga ‘shkenca’ e Vetëvendosjes

Në vitin 2015, socialdemokratëve gjermanë iu pëlqente t’u frynin gacave të konfliktit në Kosovë. Një fondacion i afërt me ta, siç është Friedrich-Ebert-Stiftung që ka degë të vetën edhe në Prishtinë, financoi një ‘studim’ për çështjen e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mal i Zi. Ky raport, me të cilin merrnin zemër VV-ja dhe AAK-ja për ta zhytur vendin në anarki, ishte i tillë që shkencën e zëvendësonte me joprofesionalizëm tërbues. Me terme si ‘ngjitja’ dhe ‘zhdjergia’ e bagëtive, autorët synonin t’i mbushnin mendjen botës se kufiri shtetëror i Kosovës nuk ishte shënjuar si duhet.

Col MEHMETI

17 shtator 2025 – ‘Shkenca’ e Kosovës nuk duket se ka reputacion të mirë jashtë vendit.

Një fat të tillë duket se e ka pasur një raport studiuesish vendorë të cilët ishin bërë pjesë e kauzave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK-së për demarkacion.

Të nxitur nga këto dy parti opozitare, tetë studiues nga Kosova e kishin marrë përsipër autorësinë e një raporti 95-faqësh me titull “Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi (Aspekte Ndërkombëtare, Gjeografike, Politike dhe Historike)”.

I botuar më 2015, ky studim ishte mundësuar nga mbështetja e Qendrës për Promovimin e Zhvillimit (QPZH) dhe Fondacioni Friedrich Ebert.

Por, përmbajtja skandaloze duket se i kishte vënë në siklet sponzorët gjermanë sa ta hiqnin fare nga faqja e tyre studimin në fjalë.

Dega e këtij Fondacioni në Prishtinë i ka zhdukur gjurmët e këtij publikimi nga arkiva e vet online, dhe të vetmet kopje mund të gjenden në biblioteka të vendeve perëndimore.

Megjithatë, NACIONALE ka arritur të sigurojë një të tillë nga biblioteka e Universitetit të Princetonit.

Kur gradat profesorë e doktorë zhvleftësohen nga injoranca

Përmbajtja e saj del të jetë e përshkuar nga joprofesionalizmi, gjuha joshkencore dhe mëtimet shpesh qesharake.

E gjithë kjo kishte ngjarë pavarësisht se pjesë e ekipit hulumtues ishin plot njerëz që mbanin gradat profesorë e doktorë.

Ky studim ishte nënshkruar nga këta autorë: Prof. Dr. Zejnullah Gruda, Prof. Dr. Muharrem Cërabregu, Prof. Dr. Riza Smaka, Prof. Dr. Shpejtim Bulliqi, Prof. Dr. Muhamet Sadiku, Prof. Dr. Zymer Neziri dhe Sylë Osmanaj.

Kulmi i përmbajtjes skandaloze, mes të tjerash, ishte në faqen 28 ku autorët merrnin përsipër të mbronin me gjithfarë ‘argumentesh’ një vijë tjetër kufitare nga ajo që ishte shënjuar nga Komisioni i drejtuar nga profesori Murat Meha.

Kësisoj, një paragraf i shkurtër (dhe jo një kapitull siç do të duhej) i ishte kushtuar asaj që në studimet antropologjike e etnografike quhet ‘transhumancë’ – një term ky që përshkruan lëvizjen stinore të bashkësive blegtorale nga bjeshka në fushë dhe anasjelltas.

“Ngjitja” dhe “zhdjergia” – termat joshkencorë që turpëruan gjermanët

Me një shqipe anepërtej me gabime drejtshkrimore, ky paragraf nuk përmbushte asnjë kriter të vetëm shkollaresk.

Autorët, me gjithë mend, kishin introduktuar terme si “ngjitja” dhe “zhdjergia”, të cilat, sipas tyre, duhej të peshoheshin me rastin e përcaktimit të kufijve shtetërorë mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Paragrafi i titulluar “Transhumansa ilire” shërbehej me argumente që në asnjë vend të botës nuk do të merreshin parasysh kur vjen puna për të shenjëzuar kufinj.

Dy terma: ngjitja dhe zhdjergia. Transhumansa është bartje sezonale e banorëve, bagetive të fshatrave të caktuar në bjeshkët e tyre të përhershme duke u ngjitur në verë dhe duke u zhdjergur në dimër. Dalja në bjeshkë dhe ardhja në fshat është traditë qysh në kohët më të vjetra në Gadishullin e Ilirisë. Edhe familjet mbretërore ilire kanë dalë në bjeshkë. Duhet të përmendet se familja mbretrore e Teutës nga Kotori – Agronium, ka dalë në Bjeshket e Kelmendit. Në Bjeshkën e Jenegut (pjesa e eperme e lumit të Bistricës), ka kullë (e një familjeje të Carrabregut), shtëpi dhe stane. Ndër ne shqiptarët kullotat malore thirren thjesht bjeshkë. Kurse, hartografët e shekullit XIX këto bjeshkë i identifikojnë me emrin e banorëve. Bjeshkët Shqiptare (Albanian Alps: alp = bjeshkë)”, thotë ky paragraf i cili këtu po riprodhohet njësoj si në origjinalin me gabime gjuhësore e shkencore.

Ç’është transhumanca?

Pyetja e parë që do të shtrohej për argumente të tilla është ajo se ç’relevancë ka dukuria e transhumancës me kufijtë shtetërorë e me botën moderne?

Veprimtaritë blegtorale, sidomos ato të përshkuara nga transhumanca, janë një model gati gjithëballkanik.

Lëvizje stinore të bagëtive dhe bashkësive baritore ka pasur në zonën dinarike, në Karpate, në Pind e gjetkë.

Mirëpo, transhumanca nuk është përdorur asnjëherë si argument në përcaktimin e kufijve shtetërorë në Ballkan.

Në të vërtetë, transhumanca, si një lloj gjysmë-nomadizmi, i vinte në siklet edhe profesorë të antikës e mesjetës në Oxford e Cambridge, si për shembull N. G. L. Hammond, D. Nicol, B. Oswald, etj, që të përcaktonin topografinë e ndonjë komuniteti etnik a social.

Kjo vështirësi vjen mu për shkak të natyrës tejet mobile të veprimtarisë në fjalë dhe faktit që asnjë qendër perandorake ose urbane nuk i regjistronte lëvizjet e tyre.

Koha kur Haradinaj e angazhonte Martin Berishajn

Pavarësisht se ky ekip kishte lënë nam me punë jobindëse e jashtë çdo standardi shkencor, plot prej tyre gjetën vend në Komisionin e ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Komisionin e vjetër më 11 shtator 2017, kurse të riut i kishte ndarë plot 49 mijë e 40 euro buxhet për punën e tij.

Me kryesues Shpejtim Bulliqin, komisioni përbëhej nga Zejnullah Gruda, Martin Berishaj, Hamit Basholli dhe Florim Isufaj.

Në përbërje të tij ishin përfshirë edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme, asaj të Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës, ashtu si edhe dy përfaqësues të komunitetit të prekur nga kufiri (Riza Smakaj dhe Zymer Neziri).

Shuma fillestare nuk i ishte dukur boll Komisionit, ndaj Qeveria e Haradinajt, më 20 shkurt 2018, kishte ndarë edhe 152,619 euro të tjera.

Gjermanët e fiksuar pas ‘demarkacionit’

I njohur me akronimin e tij si FES, Fondacioni Friedrich Ebert (në gjermanisht Friedrich-Ebert-Stiftung) është një fondacion i afërt me Partinë Social Demokratike të Gjermanisë.

Me zyra në Bonn dhe Berlin, ky fondacion i majtë ka degë e projekte në mbi 100 vende të botës dhe njihet kryesisht për financimin dhe promovimin e politikave të majta.

Ky fondacion, më saktë dega e tij në Prishtinë, ishte mpleksur në procesin e demarkacionit duke iu dhënë zë opozitës së asokohshme në Kosovë.

Madje, FES kishte përkrahur një tryezë të Shoqatës së Malazezëve të Kosovës me temën “Demarkacioni i kufirit Kosovë-Mal i Zi nga perspektiva e qytetarëve malazezë të Kosovës”.

Ndryshe, fondacionet e partive politike janë mjaft të shpeshta në peizazhin gjerman.

Përveç FES-it të afërt me socialdemokratët, në Gjermani është edhe Fondacioni konservativ ‘Konrad Adenauer’ (KAS) dhe fondacioni i afërt me të nga Bavaria ‘Hanns Seidel’; Fondacioni për Liri ‘Friedrich Naummann’ (FNS) i lidhur me liberalët; fondacioni ‘Heinrich Böll’ (HBS) i mbështetur nga Partia e Gjelbër; si dhe Fondacioni i majtë ‘Rosa Luxemburg’ (RLS).

10 vjet të shkuara dëm

78.6 kilometra sa ka e gjithë vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi pati prodhuar një histori fesatesh që zgjati plot nëntë vjet.

Shënjimi i vijës kufitare me fqinjin perëndimor, i njohur në idiolektin politik si ‘demarkacioni’, u miratua më 21 mars 2018 nga Kuvendi i Kosovës me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim.

Ironikisht, kjo kishte ndodhur kur kryeministër i vendit ishte Ramush Haradinaj, i cili prej 2015-s kishte qenë kritiku më vokal i marrëveshjes me Malin e Zi.

I filluar në formë diskutimesh më 2009, procesi i demarkacionit u rrumbullakësua me një marrëveshje të nënshkruar në Vjenë më 6 gusht 2015.

Lexo edhe: Demarkacioni ose rrena e madhe që e harruan Kurti e Haradinaj

Ajo ishte fryt i ujdisë së përbashkët që parim nistor të ishte rrethana që kufiri administrativ, siç ishte në ish-Jugosllavi, të zyrtarizohej si kufi shtetëror.

Më 2013, Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje me anë të së cilës parashihej që detyrën e përcaktimit të vijës kufitare ta merrte përsipër një komision i përbashkët me ekspertë.

Ky komision në punën e tij u shërbye me një hartë ushtarake të Armatës Popullore Jugosllave (JNA), të vjetit 1953, dhe dokumenti që doli prej tij shërbeu si themel për marrëveshjen ndërqeveritare.

Kuvendi i Malit të Zi e miratoi po atë vit, kurse Kosova nuk e reciprikoi të njëjtën.

Protesta, esktremizëm dhe terrorizëm

Nga kjo kohë e deri më 2018, sipari i skenës publike në Kosovë u hap për narracionin e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate që asokohe funksionin krahë-për-krahë si front i bashkuar opozitar.

Duke e katastrofizuar marrëveshjen e 2015-s, diskursi i asokohshëm opozitar përdori gjithfarë shifrash për humbjet e supozuara tokësore: fillimisht u tha që humbën 12 mijë hektarë, më vonë 10 mijë, dhe së fundmi u standardizua shifra prej 8200 hektarësh.

Qafa e Çakorrit dhe Kulla e Zhlebit, këto dy majamale, u shndërruan në referencat kryesore gjeografike se si vija e re kufitare paska lënë mijëra hektarë tokë të Kosovës në ‘anën e gabuar’.

Përveç protestave të shumta përgjatë vitit 2015, kjo kauzë kishte prodhuar ekstremizëm të vërtetë.

Kulmi mbërriti kur aktivistë të Vetëvendojes blenë motoçikletë ‘Yamaha 125’ dhe me të, në natën e 4 gushtit 2016, me një raketahedhës ‘RPG’ sulmuan ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke pasur si cak Zyrën e Presidentit Hashim Thaçi.

Lexo edheTerrori, armët e prodhimit jugosllav dhe heroizimi i gabuar

Meha, shkencëtari i vërtetë që u harrua

Në qershor të këtij viti, ish-kryetari i Komisionit të parë për Demarkacionin, Murat Meha botoi librin me vlerë “Kufiri i shtetit të Kosovës: Studim dhe dokumente”.

Brenda 302 faqesh brenda të cilave është endur një lëndë tejet e vëllimshme, autori vuri pikën mbi ‘i’ për kufirin e Kosovës duke sintetizuar fakte të dokumentuara vendore e ndërkombëtare.

Sipas tij, “kufiri i Republikës së Kosovës nuk është çështje opinionesh, dëshirash, konspiracionesh, hamendësimesh, e kauzash të gënjeshtërta, siç u tentua në vitin 2015.” /Nacionale/