Foda tregon pse u ftuar Florian Haxha nga Bundesliga 2 e Austrisë: Paraqitjet e tij më bindën

Florian Haxha dhe Bledian Krasniqi janë dy futbollistët e rinj që janë ftuar te Kombëtarja e Kosovës nga përzgjedhësi Franco Foda.

Përzgjedhësi gjerman i Dardanëve ka ftuar Florian Haxhën që luan te Kapfenbergu në Bundesliga 2 të Austrisë.

Haxha ka pasur një sezon fantastik duke shënuar pesë gola dhe duke asistuar në 12 të tjerë.

E për ftesën e sulmuesit, përzgjedhësi Foda ka thënë ai i ka lënë përshtypje të mirë.

“Florian Haxhën e kam ndjekur në ekipin e tij Kapfenberg dhe paraqitjet e tij, shpejtësinë dhe ritmin që ka më kanë bindur që ta ftoj”.

“Ka shënuar disa gola dhe më ka lënë një përshtypje shumë të mirë. Haxha është një lojtar i ri dhe ka mundësinë të tregojë aftësitë e tij gjatë seancave tona stërvitore”, deklaroi Foda.

Dardanët më 6 qershor do të luajnë me Armeninë dhe Komoret tre ditë më vonë.