Foda publikon listën për miqësoret e qershorit – mungojnë senatorët, ftohen emra të rinj dhe ka rikthime

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore që Dardanët do t’i zhvillojnë në muajin qershor, në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Botërorit 2026, që nisin në shtator.

Kosova do të përballet fillimisht me Armeninë më 6 qershor, ndërsa tri ditë më pas do të luajë kundër Komoreve. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

Franco Foda do të mbështetet në një grup të përzier të futbollistëve me përvojë dhe talente të rinj për këto përballje miqësore, të cilat do të shërbejnë si mundësi për të testuar opsione të ndryshme taktike dhe për të konsoliduar grupin para ndeshjeve kualifikuese.

Futbollistët do të grumbullohen të dielën, më 1 qershor, derisa seanca e parë stërvitore do të zhvillohet po atë ditë, në ora 17:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Paraprakisht, në të njëjtën ditë, në orën 12:00 në hotel “Emerald” në Prishtinë përzgjedhësi Foda do të mbajë konferencë për media.

Në këtë listë mungojnë senatorë si Arijanet Muric, Amir Rrahmani, Edon Zhegrova, Valon Berisha, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, ndërsa janë ftuar emra të rinj si Dion Gallapeni, Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha.

Në listë ka edhe rikthime si Ismajl Beka, Kreshnik Hajrizi, Ismet Lushaku, Muharrem Jashari dhe Meriton Korenica.