Foda pas fitores ndaj Sllovakisë: Nuk kemi presion – Turqia kundërshtar i fortë

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka folur në konferencë për media pas fitores ndaj Sllovakisë, duke u ndalur edhe te përballja e radhës ndaj Turqisë.

Foda theksoi se skuadra nuk ndjen presion, pavarësisht rëndësisë së ndeshjes së ardhshme.

“Nuk ndiejmë presion. Ajo që kemi arritur është sukses shumë i madh. Duhet të jemi krenarë, pasi shumë njerëz nuk e kanë pritur që të shkojmë kaq larg”, u shpreh Foda, transmeton Klankosova.tv

Ai vlerësoi kundërshtarin e radhës, duke theksuar forcën e Turqisë dhe nivelin e lartë të përballjes.

“E kemi të qartë se kemi një kundërshtar të fortë si Turqia. E dimë nivelin e kundërshtarëve dhe do të përgatitemi maksimalisht”, deklaroi trajneri.

Foda shtoi se ekipi tashmë ka një ide të qartë për ndeshjen dhe do të punojë për të qenë gati, duke marrë parasysh edhe gjendjen e lojtarëve.

“Kemi ide të qarta dhe do të përgatitemi për sfidën që na pret”, përfundoi ai. /Klankosova.tv