Ministri i Financave, Bedri Hamza, është duke marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore e Kroacisë, me titull “Demografia, punësimi dhe rritja në drejtim të së ardhmes së Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, e cila po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë.
Hamza atje e takoi zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhang, transmeton Klan Kosova.
Sipas kësaj Ministrie, Hamza e njoftoi Zhang me të arriturat e Kosovës, duke filluar nga stabiliteti makro fiskal, respektimin e rregullave fiskale dhe borxhin publik të ulët të cilin vazhdon ta ketë Kosova.
Ministri e falënderoi Zhang për asistencën teknike që FMN-ja e ka ofruar për Kosovën ndër vite dhe për bashkëpunimin që ka Kosova në përgjithësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Zhang e falënderoi Hamzën për takimin dhe e përgëzoi për ruajtjen e stabilitetit financiar, që është shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe në të ardhmen do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Financave me asistencë teknike sipas kërkesës së Ministrisë.