Nga Tel Avivi në Beograd dhe më pas përsëri në Tel Aviv.
Ky ishte itinerari i një avioni izraelit të transportit më 5 mars, konstatoi Radio Evropa e Lirë përmes një analize të faqeve të specializuara për ndjekjen e fluturimeve.
Avioni ishte i destinuar për transportimin e ngarkesave të rënda dhe të rrezikshme, siç janë armët.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ka transportuar, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime.
Kjo nuk është hera e vetme që një avion transporti i kompanisë private izraelite “Challenge Airlines IL” ka ateruar në Beograd gjatë muajit të fundit.
REL-i ka zbuluar se gjatë shkurtit dhe në fillim të marsit, dy avionë transporti të kësaj kompanie kanë kryer së paku nëntë fluturime mes Serbisë dhe Izraelit, në të dyja drejtimet.
Dy prej këtyre fluturimeve u regjistruan pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Radio Evropa e Lirë pyeti ministritë serbe të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë për këto fluturime dhe për atë se çfarë është transportuar me to, por nuk mori përgjigje.
Përgjigje nuk ktheu as kompania izraelite që është pronare e avionëve transportues.
Serbia pezulloi eksportin e armëve në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas një udhëzimi të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kjo ndodhi në kulmin e konfliktit izraelito-iranian dhe mes akuzave nga Moska se Serbia, përmes ndërmjetësve, po eksportonte municion drejt Ukrainës.
Por, sipas informacioneve të konfirmuara për Radion Evropa e Lirë nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armëve jashtë Serbisë ka rifilluar sërish në shkurt.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të REL-it, institucionet shtetërore në Serbi nuk kanë zbuluar se çfarë eksportojnë, kujt dhe në çfarë kushtesh.
Sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, në vitin 2025, Serbia eksportoi armë dhe municione me vlerë rreth 50 milionë dollarë.
Kjo është gjysma e shumës së regjistruar në vitin 2024, kur eksportet, sipas të dhënave të njëjta, tejkaluan 104 milionë dollarë.
Megjithatë, këto nuk janë shuma përfundimtare, pasi të dhënat e sakta nuk janë të disponueshme publikisht.
Serbia, prej vitesh tashmë, nuk publikon se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake eksporton, kujt dhe në çfarë sasie.
Çfarë thonë në Aeroportin e Beogradit?
Aeroporti “Nikolla Teslla” i Beogradit nuk jep detaje për atë që është transportuar nga aeroplanët e mallrave që fluturuan nga Beogradi në Tel Aviv dhe anasjelltas, në shkurt dhe në mars.
Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se aeroporti u lejon linjave ajrore të përdorin infrastrukturën e tij “në përputhje me rregulloret ndërkombëtare dhe kombëtare që rregullojnë transportin e pasagjerëve dhe llojeve të ndryshme të ngarkesave në trafikun ajror”.
Nuk është e qartë se kush e ka angazhuar linjën ajrore private izraelite, pasi ministritë përkatëse nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
“Challenge Airlines” e Izraelit e përshkruan veten si linjë ajrore e specializuar në transportin e “ngarkesave jostandarde”.
Sipas të dhënave nga ueb-faqja e saj, ajo zotëron tre aeroplanë Boeing të destinuar për trafik mallrash.
Kompania thuhet se ofron shërbime të rregullta midis Tel Avivit dhe vendeve evropiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Aeroportit të Liezhit në Belgjikë.
Ajo gjithashtu thotë se ka licenca të ndryshme sigurie për transportin ajror të mallrave, të lëshuara nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Kina dhe vende të tjera.
Thekson se është e trajnuar për të transportuar një sërë mallrash – nga ushqimet tek eksplozivët, barnat dhe makineritë e mëdha.
Që nga shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit, një pjesë e madhe e trafikut ndërkombëtar ajror në atë rajon është pezulluar dhe fluksi i mallrave është zvogëluar ndjeshëm.
Megjithatë, “Challenge Airlines” vazhdon të fluturojë për në Izrael dhe të ofrojë shërbime mallrash.
Më herët, në nëntor të vitit 2024, mediat belge raportuan se kjo linjë ajrore ka paraqitur ankesa kundër rregulloreve federale dhe rajonale në Belgjikë, që kufizojnë transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael.
Sipas tyre, “Challenge Airlines” ka mohuar atëkohë se po transportonte armë, duke pretenduar se po dërgonte ndihmë humanitare dhe ushqime në Izrael. /REL










