Fluks në Morinë, kosovarët shkojnë në Shqipëri për të festuar 28 Nëntorin

Të ardhur me mjete private, por edhe të organizuar në grupe të mëdha, shumica prej tyre kanë kaluar nëpër Pikën Kufitare të Morinës, e cila sot ka shënuar fluks të lartë udhëtarësh.

Qyteti më i preferuar për të festuar mbetet Vlora, por udhëtarët thonë se do të vizitojnë edhe qytete të tjera bregdetare e historike.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Morinit janë futur 64 autobusë, ndërsa në total kanë hyrë 17,789 shtetas dhe 4,651 automjete. Autoritetet kufitare thonë se fluksi është i pritshëm për shkak të festave dhe se menaxhimi po kryhet pa vonesa, raporton Top Channel.

Për të përballuar numrin e madh të hyrjeve dhe daljeve, në Morinë janë vënë në funksion 10 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke bërë të zbatueshme marrëveshjen e lëvizjes së lirë mes dy vendeve.

Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive.