Flick pushton zemrat e popullit katalanas, fansat e Barcelonës i vendosin notën 9.5

Barcelona ka prezantuar rezultatet e “Observatori Blaugrana” për sezonin 2024-2025. Një sondazh që mbledh opinionin e anëtarëve të klubit për aspekte të ndryshme të sezonit që sapo ka përfunduar. Studimi, i realizuar nga “Institut Feedback d’Investigació Aplicada” mes datave 10 dhe 20 qershor, ka marrë si kampion 3.000 tifozë të rritur.

Ndër rezultatet më të spikatura është vlerësimi për Hansi Flick, të cilit “socios” i kanë dhënë gati notën maksimale 9.5 nga 10. Kjo ka ndikuar që edhe situata sportive e klubit, duke përfshirë ekipin e parë (meshkuj dhe femra), të marrë notë shumë të lartë. Vlerësimi më i ulët është për ecurinë e punimeve të “Espai Barça”, që ka marrë vetëm notën 6.6. Ndërkohë, marrëveshjet me “Spotify” dhe “Nike” janë vlerësuar me nota 8.4 dhe 8,2, ndërsa regjistrimi i Dani Olmo dhe Pau Víctor ka marrë vlerësimin 7.4.

Në nivel institucional, “socios” kanë vlerësuar pozitivisht edhe menaxhimin e bordit të drejtuar nga Joan Laporta. 86% e mbështesin menaxhimin e tij, ndërsa 64% e vlerësojnë mes notës “shumë mirë” dhe “shkëlqyeshëm”. Në aspektin financiar, 64% e miratojnë situatën ekonomike të klubit dhe 55% besojnë se ajo do të përmirësohet në të ardhmen.

“Socios” kanë veçuar gjithashtu rëndësinë e La Masia, modelin e pronësisë dhe identifikimin e klubit me Katalonjën. Plot 88% e të anketuarve kanë përshëndetur faktin që institucioni është në pronësi të anëtarëve dhe jo në formë tjetër pronësie.

Sa i përket qëndrimit në stadiumin “Olímpic de Montjuïc”, edhe pse vetëm 70% e anëtarëve kanë marrë abonim, shumë prej tyre kanë ndjekur ndeshje në “malin magjik” dhe e kanë konsideruar përvojën pozitive. Po ashtu, është vlerësuar edhe organizimi i festimeve të 125-vjetorit të klubit, prezantimi i maskotës CAT, manifesti dhe kënga “L’escut al pit”.

Së fundi, “socios” i kanë vendosur notë të lartë rolit të klubit në fushën e barazisë gjinore, qëndrueshmërisë dhe “Fondacionit Barça”.

The post Flick pushton zemrat e popullit katalanas, fansat e Barcelonës i vendosin notën 9.5 appeared first on Telesport.