Flick pas barazimit me Interin: Në Milano na pret një finale para finales

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur pas ndeshjes spektakolare ndaj Interit në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, e cila përfundoi me rezultat 3:3 në “Estadi Olímpic Lluís Companys”. Gjermani pranoi se skuadra nuk e nisi mirë ndeshjen, por vlerësoi reagimin e lojtarëve dhe paraqitjen e Lamine Yamal.

“Nuk e nisëm mirë, por më pas u rikthyem,” deklaroi Flick pas ndeshjes. “Ky është dueli i parë nga dy, duhet ta fitojmë tjetrin në Milano. Ajo do të jetë një finale para finales.”

Ai theksoi nivelin e lartë të konkurrencës në këtë fazë të Ligës së Kampionëve dhe komplimentoi Interin për forcën e tyre në goditjet standarde:

“Jemi në gjysmëfinale të Championsit, ku ka ekipe të mëdha me përvojë. Interi e tregoi këtë sot. Ata kishin epërsi në goditjet standarde me katër apo pesë lojtarë shumë të gjatë.”

Flick gjithashtu vlerësoi paraqitjen e talentit të ri Lamine Yamal, i cili shënoi golin e parë të Barcelonës dhe ndezi reagimin e skuadrës:

“Lamine tregoi rrugën që duhet ndjekur. Ai gol për 2-1 ishte shumë i rëndësishëm. Bëmë një punë të mirë dhe tani duhet të luftojmë deri në fund.”

Ndeshja e kthimit do të luhet javën e ardhshme në San Siro, ku do të vendoset finalistja e madhe që do të synojë trofeun më të rëndësishëm evropian për klube.