Hansi Flick u shfaq i kënaqur pas fitores së Barcelonës 2-1 në “Carlos Belmonte” ndaj Albacete, një sukses i vështirë që i kualifikon katalanasit në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit. Trajneri gjerman vlerësoi kalimin e turit, mbrojti qëndrimin e skuadrës dhe theksoi vështirësinë e këtyre sfidave, sidomos me një kalendar kaq të ngarkuar: “Këto janë ndeshjet që duhet t’i fitojmë, jemi në gjysmëfinale dhe jemi të lumtur”.
Flick insistoi se Barça e meritoi fitoren, pavarësisht vuajtjes në fund: “Ishte një ndeshje e vështirë, patëm shumë raste. Jam krenar për djemtë, sepse luajmë çdo tri ditë. Skuadra është gjithmonë gati, e merituam fitoren”.
Ai pranoi se duhet përmirësim në finalizim, por hodhi poshtë debatet për mentalitetin: “Barcelona lufton deri në fund. Këto ndeshje Kupe duhen fituar dhe u fituan”. Flick përmendi lodhjen nga tri ndeshje në më pak se një javë dhe përgëzoi Albacete. Në fund, vlerësoi rikthimin e Ronald Araujo dhe progresin e Marc Bernal, duke kërkuar durim. “Gjysmëfinale Kupe, ‘top 8’ në Champions dhe të parët në La Ligë; po i arrijmë objektivat”, përfundoi ai.
The post Flick pas 2-1 ndaj Albacete: Këto janë ndeshje që duhen fituar, ia dolëm me meritë appeared first on Telesport.










