Flasin për zhvillimet Izrael-Iran, Putini ia uron edhe ditëlindjen Trumpit

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike prej 50 minutash të shtunën me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke dënuar operacionin ushtarak të Izraelit kundër Iranit dhe duke shprehur shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit, tha Kremlini.

“Vladimir Putin dënoi operacionin ushtarak të Izraelit kundër Iranit dhe shprehu shqetësim serioz për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit, i cili do të kishte pasoja të paparashikueshme për të gjithë situatën në Lindjen e Mesme”, u tha gazetarëve këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, raporton Reuters.

Trump, nga ana e tij, i përshkroi ngjarjet në Lindjen e Mesme si “shumë alarmante”, sipas Ushakov. Por të dy udhëheqësit thanë se nuk përjashtojnë një rikthim në negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, tha Ushakov.


Kremlini njoftoi se Trump i tha Putinit se negociatorët amerikanë janë të gatshëm të vazhdojnë bisedimet me përfaqësuesit iranianë.

Sa i përket Ukrainës, Putin i tha udhëheqësit të SHBA-së se Rusia është gati të vazhdojë negociatat me ukrainasit pas 22 qershorit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA.

Trump përsëriti interesin e tij për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, tha Ushakov.

Putini i uroi gjithashtu Trumpit ditëlindjen e 79-të.