Flasin nga zyra e Varhelyit rreth fotografisë me mbishkrimin “Kosovo i Metohija”

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dje ishte kujdesur që të pres në mënyrë të ngrohtë Komisionerin e BE për Zgjerim OIiver Várhelyi gjatë një takimi në zyrën e misionit të Serbisë në Bruksel. Kreu i shtetit serb kishte shërbyer pogaçe tradicionale serbe për diplomatin hungarez.

Për një moment e takim të tillë, Vuçiq kishte shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në instagram edhe një fotografi e cila nxiti shumë reagime në Kosovë.

Prapa shpinës së Várhelyit dhe Vuçiqit në zyrën e misionit të Serbisë në BE, shihej një libër me mbishkrimin “Kosovo i Metohija” e cila kishte të bënte me trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë.

Lidhur me këtë ngjarje, Gazeta Express i është drejtuar zyrës së Komisionerit Várhelyi, për të marrë një koment dhe për t’i pyetur nëse ai do t’i kërkoj Vuçiqit që të shlyejë një fotografi të tillë.

Këshiltarja e Várhelyit, Maja Kocijancic, ka thënë se gjithçka që mund të thotë është që fotografia nuk është realizuar në zyrën e Komisionerit për Zgjerim dhe se ka qenë Vuçiq ai që ka organizuar pritjen.

“Ajo çfarë mund të them për ju është që takimi me Komisionerin ishte organizuar nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE ( dhe jo në zyrën e Komisionerit”, ka thënë Kocijancic ekskluzivisht për Gazetën Express.

Ajo tutje ka përmendur se Várhelyi një ditë më herët ka takuar edhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hotin, dhe se i mban kontaktet e rregullta me Kosovën dhe Serbinë bazuar në politikën e BE’së dhe prioritetet që kanë për Ballkanin Perëndimor.

“Komisioneri një ditë me herët gjithashtu ka takuar kryeministrin Hoti. Ai mban kontakte të rregullta bashkë me Kosovën dhe Serbinë, në linjë me politikën e Bashkimit Evropian dhe në prioritete që ne kemi për Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Maja Kocijancic.