Në hapje të fushatës për balotazh, Albin Kurti e nisi garën jo me vizion apo plane konkrete për qytetarët, por me një kërcënim, duke paralajmëruar në mënyrë indirekte se komunat që nuk zgjedhin kandidatët nga radhët e kësaj partie, do të mbeten pa mbështetje financiare.
Kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave.
Rama e cilësoi këtë deklaratë si një “skandal shtetëror” dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe demokracisë në vend.
“KËRCËNIMI I KURTIT NDAJ QYTETARËVE ËSHTË SKANDAL SHTETËROR! Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie janë pronë e popullit të Kosovës.”
Edhe nënkryetarja e Kuvendit nga rradhët e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas fjalimit të Kurtit, duke e quajtur kërcënues.
Çitaku e cilësoi deklaratën e Kurtit si “skandaloze dhe kërcënim të hapur ndaj qytetarëve të Kosovës”.
“Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte.
Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë.” – shkroi Çitaku.
Sipas saj, qeverisja e Kurtit është karakterizuar që nga dita e parë nga ndëshkimet politike ndaj komunave që nuk drejtohen nga Vetëvendosje.
“Në fakt, kjo nuk më befasoi. Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij. Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës.
E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë.
Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve.
A.K, ti fole sonte.
Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin.
Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet.” – përfundoi zonja Çitaku.
Çka tha Kurti?
Kurti u shfaq para qytetarëve sikur të ishte një kryeministër i rizgjedhur në tentativen e dështuar në seancën e fundit të Kuvendit, duke tentuar ta përdorë buxhetin e shtetit si mjet presioni politik.
“Te votoni për atë parti që në nivel qendror i ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentë e shtesat për fëmijë – ndërkaq në nivelin lokal kudo që kemi qeverisur, kemi investuar shumë më tepër sesa paraardhësit tanë,” tha Kurti në nisje të fjalimit.
Duke iu referuar planit qeveritar prej një miliard euro për investime në komunat e Kosovës, Albin Kurti – ndonëse tashmë vetëm deputet i betuar që dështoi të formojë qeverinë – zgjodhi ta përdorë këtë si mjet presioni elektoral.
Ai u shpreh se këto mjete do të ndahen vetëm për ata që, sipas tij, “dinë të punojnë dhe nuk vjedhin.”
“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajm fjalën, 1 miliard euro investime për komunat, por ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetar që nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk e duan punën, asa ata që dinë e duan të vjedhin, me ata nuk ka investime as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës.”










