Fjalët e Xabi Alonsos pas vendimit për t’u larguar nga Bayer Leverkuseni

Trajneri spanjoll, Xabi Alonso ka falënderuar të gjithë ata me të cilët ka punuar te Bayer Leverkuseni, pas vendimit për largim në fund të këtij sezoni.  

Bayer Leverkusen dhe trajneri Xabi Alonso kanë ndarë rrugët pas më shumë se dy vitesh e gjysmë së bashku.

Kampionët e Gjermanisë, fituesit e Kupës së Gjermanisë dhe Superkupës së vitit 2024 i kanë përmbushur dëshirën spanjollit për të ndërprerë kontratën e tij, e cila fillimisht ishte parashikuar të vlejë deri në verën e vitit 2026.

Për Alonson, kapitulli i parë i shkëlqyer në karrierën e tij si trajner profesionist përfundon me këtë largim nga Leverkuseni dhe fjalët e mira nuk mungojnë.

“Jam thellësisht mirënjohës ndaj Bayer Leverkusen, lojtarëve dhe stafit tim, të gjithë punonjësve të klubit dhe, në fund por jo më pak të rëndësishëm, tifozëve të mrekullueshëm”, ka thënë fillimisht Alonso pas vendimit për largim.

“Suksesi ynë ishte rezultat i një performance të shkëlqyer të ekipit. Ky klub, i cili tregoi besim të jashtëzakonshëm tek unë, e meritonte shumë të fitonte titullin e ligës gjermane për herë të parë”.

“Falënderimet dhe admirimi im shkojnë për të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij triumfi, përfshirë fitoren në Kupën e Gjermanisë në Berlin”.

“Bayer Leverkusen është gati për të ardhmen. Rruga pozitive do të vazhdojë dhe do të jem i emocionuar ta ndjek atë”, përfundoi trajneri bask.