,

Fjalë shumë të mëdha nga Mali i Zi: Kosovën do ta mposhtim edhe në Podgoricë, edhe në Prishtinë

Ndihmëstrajneri i Malit të Zi, Dragoje Lekovic, beson se skuadra e tij do të fitojë edhe në Podgoricë e edhe në Prishtinë kundër “Dardanëve”, kur këto dy skuadra do të ndeshen në kuadër të EURO 2020.

Më 2 qershor, përfaqësuesja e Kosovës i filloi përgatitjet për ndeshjet e qershorit, ku Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve, si Hekuran Kryeziu, Valon Berisha e Herolind Shala, transmeton Gazeta Express.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë të premten, e pastaj, tri ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA ta zhvillojnë një ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar, kundër Anglisë.

“Ne i dimë anët tona të mira, i dimë edhe të këqijat dhe të mirat e Kosovës. Ne do të tentojmë të analizojmë gjithçka para ndeshjes dhe jemi plotësisht të përgatitur”.

“Ne gjithmonë tentojmë të fitojmë në shtëpi, por do ta kemi këtë qasje edhe në Prishtinë gjithashtu. Kosova është një rivale kundër së cilës do të tentojmë të fitojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur”.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Related Posts