Është liruar Agim Pllashniku, personi i cili u konfrontua verbalisht gjatë ditës me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollin.
Avokati i Pllashnikut, Genc Gjini, tha se me t’u liruar klienti i tij, është konfirmuar se ai nuk e ka kryer veprën penale “kanosje”.
“Aty ka eskaluar situata dhe e gjitha ka qenë normale, por Fitore Pacolli, i është afruar Agim Pllashnikut, e ka kapur për dore, e ka shtyrë dhe asistenti i saj disa herë ka pasur kontakt fizik”.
“Aty nuk ka kërcënim nga Agim Pllashniku. Por, Fitore Pacolli kur ka dhënë deklaratë në polici, është dashur të ndalohet për deklarim të rremë sepse ajo ka aluduar se kur është afruar te Pllashniku, ai ka pasur një çantë dhe ka aluduar se ka armë dhe në momentin kur arrestuar Agim Pllashniku, aty nuk është gjetur arma”, tha Gjini në Edicionin Special në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se në këtë rast, vepër penale ka kryer Fitore Pacolli, teksa shtoi se ka marrë informata nga vajza e Agim Pllashnikut se po marrin kërcënime nga simpatizantë të Vetëvendosjes, pasi deputetja Pacolli i ka postuar fotografitë e familjes së tij në llogarinë e saj në Facebook.