Fisnik Asllani, 23 vjeç, nuk e fsheh admirimin e tij për Barcelonën. Sulmuesi kosovar i TSG 1899 Hoffenheim ka tërhequr vëmendjen me një postim të fundit në rrjetet sociale, i cili ka nxitur shumë spekulime. Në llogarinë e tij në Instagram, Asllani publikoi një “carousel” me rutinën e tij, por një nga fotot nuk kaloi pa u vënë re. Teksa luan një video-lojë, në një ekran të vogël shihet përballja mes Barcelonës dhe Newcastle United. Ky detaj shihet si sinjal ndaj klubit katalanas për merkaton e ardhshme.

Vetë Asllani kishte folur më parë për këtë ëndërr në një intervistë për “Sport Bild”, në tetor: “Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Barcelonën. Do të doja shumë të luaja një ditë në Champions League. Është e rëndësishme të kesh objektiva dhe të punosh fort për t’i arritur”. Dëshira e tij konfirmohet edhe nga një tjetër detaj. Disa muaj më parë, sulmuesi tregoi në Instagram se kishte qenë në “RCDE Stadium” për të ndjekur “live” ndeshjen Espanyol–Barça.

Në Gjermani vazhdojnë ta lidhin lojtarin me Barcelonën. Sipas “Sky Sport”, klubi katalanas është ndër më të interesuarit për kosovarin, i cili ka një klauzolë largimi të përballueshme mes 25 dhe 29 milionë eurove, që mund të aktivizohet në verë. Bayern Munich, Borussia Dortmund, Chelsea dhe Tottenham janë gjithashtu në garë për të, shkruan “Mundo Deportivo”.

Me 1.91 metra gjatësi dhe fizik imponues, Asllani kombinon forcën, lëvizshmërinë dhe aftësinë për të luajtur në grup, edhe larg zonës. Lider në sulmin e Hoffenheim, ai ka 9 gola dhe 6 asistime në të gjitha kompeticionet, duke u dalluar edhe për presionin e vazhdueshëm dhe kontributin kolektiv. Arsye pse Barça dhe klubet e mëdha europiane e kanë në “radar”.
The post Fisnik Asllani nuk fshihet, bomberi dardan i dërgon tjetër sinjal Barcelonës appeared first on Telesport.










