Firmosi për Monaco, rrëfehet Pogba: Kam kaluar dy vite të vështira, kam qenë i vetëm në këtë betejë

Tani është zyrtare: Paul Pogba është një lojtar i ri i Monaco. Pas muajsh pasigurie dhe spekulimesh rreth të ardhmes së tij, mesfushori francez ka nënshkruar një kontratë me klubin e Principatës të vlefshme deri në qershor 2027.

Një veprim surprizë për Monaco, që po mbështeten te një kampion me një të kaluar të lavdishme për t’u rikthyer në Ligue 1 dhe Evropë. I sapoardhur nga një pezullim i gjatë për shkak të testit pozitiv, Pogba kthehet në fushë pothuajse dy vjet pas paraqitjes së tij të fundit me Juventus.

I emocionuar dhe i vendosur, 32-vjeçari shprehu ndjenjat e tij në kanalet zyrtare të klubit: “Është një gëzim i madh të kthehem për të luajtur. Monaco është një klub me histori të madhe dhe jam i nderuar që jam pjesë e tij. Jam gati të jap gjithçka për të ndihmuar ekipin, pas dy vitesh të vështira të kaluara vetëm“.

Projekti sportiv i ilustruar nga drejtuesit e kuqezinjve ishte vendimtar në zgjedhjen e lojtarit, i kombinuar me mundësinë e kthimit për të jetuar dhe luajtur në Francë: “Doja të lija një gjurmë në Ligue 1. Familja, njohuritë për ekipin, përzierja e talenteve të rinj dhe lojtarëve me përvojë… gjithçka kontribuoi në vendimin tim“.

Pogba kthehet kështu në skenën e futbollit profesional me ambicien për t’u bërë një pikë referimi brenda dhe jashtë fushës. Pritja për debutimin e tij me fanellën e Monaco është shumë e lartë: kanë kaluar 666 ditë që nga ndeshja e tij e fundit zyrtare.

The post Firmosi për Monaco, rrëfehet Pogba: Kam kaluar dy vite të vështira, kam qenë i vetëm në këtë betejë appeared first on Telesport.