Në një atmosferë konstruktive dhe me vizion të qartë për të ardhmen ekonomike mbarëkombëtare, Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, zhvilloi një vizitë zyrtare në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ku u pritën nga Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro, së bashku me stafin e saj.
Delegacioni i LBK-së përbëhej nga përfaqësues të kompanive të njohura si: Lesna Group, Devolli Group, Dukagjini Group, Shkembi Gllareve, Beni Dona Group, Melodia PX, Pinea Resort, Elsa Group, Alkolmplex Kosovë & Shqipëri, Spitali Lindja, Deshishku Construction.
Takimi u përqendrua në prezantimin e mundësive konkrete për partneritete ekonomike, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe në diskutimin e iniciativave të përbashkëta strategjike.
Një ndër pikat kyçe ishte organizimi i një Forumi të Përbashkët të Bizneseve Shqipëri–Kosovë, me qëllim krijimin e një platforme të drejtpërdrejtë lidhjeje mes investitorëve dhe sipërmarrësve të dy vendeve.
Në përfundim të takimit, palët firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit, duke formalizuar një kornizë të qartë bashkërendimi për iniciativa të ardhshme, projekte konkrete dhe aktivitete të përbashkëta që synojnë rritjen e investimeve, lehtësimin e klimës së të bërit biznes dhe fuqizimin e sektorit privat në të dy vendet.
Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim afatgjatë mes komuniteteve të biznesit dhe institucioneve mbështetëse të investimeve.










