Finlanda pro zgjidhjes me dy shtete – Mbështet njohjen e Palestinës

Finlanda ka shprehur mbështetje për deklaratën e Francës që promovon një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Ministrja e Jashtme Elina Valtonen theksoi se bashkë me partnerët ndërkombëtarë, Finlanda po përçon një mesazh të qartë për rëndësinë e paqes në Lindjen e Mesme.

Ajo deklaroi se paqja është jo vetëm e domosdoshme, por edhe e realizueshme, megjithëse kërkon përpjekje të mëdha. Sipas saj, gjatë Konferencës së OKB-së për Palestinën në New York janë bërë hapa pozitivë. Deklarata e përbashkët bën thirrje për armëpushim, lirimin e pengjeve dhe ndihmë të pakufizuar humanitare në Gaza.

Ajo gjithashtu kërkon përkushtim nga Autoriteti Palestinez për të çarmatosur Hamasin. Valtonen tha se zgjidhja me dy shtete është kyçe edhe për sigurinë e Izraelit. Ajo ftoi vendet që s’e kanë bërë ende, të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin. Krye diplomatja përmendi mbështetjen e vendeve arabe si Katari, Arabia Saudite dhe Egjipti për largimin e Hamasit nga Gaza.

Njohja e shtetit të Palestinës nga Finlanda, sipas saj, do të bëhet kur kjo të ndihmojë stabilitetin rajonal. Qëllimi është të garantohen si siguria e Izraelit ashtu edhe e palestinezëve. Ndërkohë, edhe vende si Franca, Britania dhe Malta kanë paralajmëruar njohjen e Palestinës në muajin shtator./rtsh

The post Finlanda pro zgjidhjes me dy shtete – Mbështet njohjen e Palestinës appeared first on Kosovapost.net.