Ligji përcakton se komunat financohen përmes formulave të ndara shtetërore dhe nuk mund të ndëshkohen politikisht nga niveli qendror.
Deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se ai nuk do t’i ndajë buxhetin komunal kryetarëve që “nuk punojnë”, ka shkaktuar reagime të shumta në sferën publike në Kosovë. Megjithatë, ligji në fuqi e sqaron qartë se financat e pushtetit lokal janë të garantuara dhe nuk varen nga vullneti i njëanshëm i qeverisë apo i individëve brenda saj. Ligji nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal i jep komunave të drejtë të pavarur financiare, duke përcaktuar se ato duhet të kenë burime të mjaftueshme financiare për ushtrimin e kompetencave të tyre, ndërsa vendimmarrja për përdorimin e këtyre mjeteve është në dorë të organeve komunale.
Ky financim publikohet përmes disa burimeve të përcaktuara në ligj: të hyrave vetanake, që rrjedhin nga tatimet komunale, qiratë, shërbimet administrative, gjobat dhe aktivitetet publike; granteve operative që ndahen nga buxheti i Kosovës për arsimin, shëndetësinë dhe funksionet e përgjithshme; si dhe fondeve shtesë për kompetencat që delegohen ose shtohen nga niveli qendror.
Në momentin kur qeveria ia transferon një përgjegjësi të re komunave, ajo është e detyruar t’i financojë edhe shpenzimet që rrjedhin nga ajo përgjegjësi. Ligji përcakton se grantet ndahen sipas formulave të drejta, transparente dhe objektive, duke ndaluar çdo formë diskriminimi ose shpërblimi politik. Paqëndrueshmëria ose ndërprerja arbitrare e financimit do të cenonte jo vetëm ligjin, por edhe të drejtat themelore të qytetarëve që varen nga shërbimet lokale.
Më tej, ligji parasheh që edhe në raste emergjente, si fatkeqësi natyrore ose situata të jashtëzakonshme, qeveria duhet të ndajë fonde për të mbështetur komunat, duke e përforcuar parimin se financimi i pushtetit lokal është mbrojtje institucionale, jo mekanizëm presioni. Komunave u lejohet të marrin borxh vetëm në rrethana të caktuara dhe për investime kapitale, me kufizime të rrepta ligjore, çka garanton që niveli lokal të mos hyjë në spirale borxhi për shkak të mungesës së fondeve qendrore.
Ligji i Financave të Pushtetit Lokal është projektuar për të garantuar që qytetarët të mos jenë viktimë e konfliktit politik. Në këtë drejtim, deklaratat që sugjerojnë ndërprerje të investimeve shtetërore për arsye politike bien ndesh me frymën e ligjit që i garanton komunave financim të qartë, të parashikueshëm dhe të drejtë. Financat publike nuk janë mjet shantazhi ndaj qytetarëve, por mekanizëm për të siguruar shërbime të barabarta për ta, pavarësisht se kush qeveris. Në fund të fundit, ligji e konfirmon: fondet që u takojnë komunave janë të drejta të qytetarëve dhe nuk mund të privohen nga urdhra të njëanshëm politike. Vetëqeverisja është shtyllë e rendit kushtetues — dhe financat lokale janë garancia praktike që ajo të mos mbetet vetëm në letër.
Pas deklaratës së Kurtit ka pasur reagime të shumta nga liderët politik.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte thënë se deklaratat e tij janë kërcënim për demokracinë, dhe se paratë e qytetarëve, nuk janë pronë e Kurtit.
“Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie, janë pronë e popullit të Kosovës”.
Pas tij kishte reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se populli do t’i jap përgjigjen kryepopullistit.
“Le t’i japim përgjigjen e madhe kryepopullistit që veç bllokimit e kërcënimit për bllokim nuk ofron asgjë. Të dielën, Prishtina flet e para!”
Këtë deklaratë nuk e lanë anash as PDK-ja, ku reagoi nënkryetarja e partisë, e cila tha se Kurti kërcënoi qytetarët lidhur me buxhetin.
“Sonte kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij, ai si kryeministër nuk do t’i mbështesë”, shkroi Çitaku, duke shtuar se një praktikë e tillë është ushtruar qysh në ditën e parë të qeverisjes së VV-së.










