Finalja e Budapestit është PSG-Arsenal; francezët janë aq favoritë sa… rrezikojnë diçka

Do të jetë PSG-Arsenal, finalja e Champions League. Një duel Francë-Angli, por edhe Parisi kundër Londrës. Një trajner spanjoll i konsoliduar si Luis Enrique përballë një tjeri në rritje si Mikel Arteta. Për PSG-në është finalja e tretë dhe e dyta radhazi, pas triumfit ndaj Interit sezonin e kaluar. Arsenali ka luajtur vetëm një finale Champions-i më parë, të humbur ndaj Barcelonës në sezonin 2005-06 në “Stade de France”.

Favoriti i madh i finales së 30 majit në Budapest është PSG. Luis Enrique ka treguar se di t’i përgatisë ndeshje të tilla dhe skuadra pariziene ka dëshmuar ndaj Bayern Munich se mund të fitojë si me spektakël ofensiv, ashtu edhe me kontroll taktik. Mesfusha me Vitinha dhe João Neves garanton ekuilibër, ndërsa përvoja e Marquinhos dhe forca e Pacho japin siguri në mbrojtje. Në sulm, treshja Doué-Dembélé-Kvaratskhelia mund ta mbyllë ndeshjen me pak raste.

Megjithatë, finalet fshehin gjithmonë kurthe. Arma më e fortë e Arsenalit janë goditjet standarde, të punuara në mënyrë maniakale dhe shpesh vendimtare. Kjo sfidë kujton disi finalen e vitit 2023 të Champions League kur Manchester City ishte superfavorit, por rrezikoi shumë ndaj ekipit të Simone Inzaghit. PSG mbërrin në Budapest si favorit absolut, pikërisht ky mund të jetë rreziku më i madh për kampionët e Europës në fuqi.

 

The post Finalja e Budapestit është PSG-Arsenal; francezët janë aq favoritë sa… rrezikojnë diçka appeared first on Telesport.