Fillon përzgjedhja e jurisë për gjyqin e reperit Diddy

Sean “Diddy” Combs, sipërmarrësi i muzikës hip-hop, karriera e të cilit është shoqëruar herë pas here me akuza për dhunë, do të sillet të hënën në një gjykatë në New York për t’u gjykuar për akuzat se ka përdorur ndikimin dhe burimet e perandorisë së tij të biznesit për të abuzuar seksualisht me gra.

Përzgjedhja e jurisë pritet të fillojë në mëngjes dhe mund të zgjasë disa ditë. Deklaratat hyrëse nga avokatët dhe fillimi i dëshmive priten javën e ardhshme.

Aktakuza prej 17 faqesh ndaj Combs është shkruar në mënyrë të ngjashme me një dokument akuzues kundër një drejtuesi mafie apo një kreu bande droge. Ai akuzohet për trafikim seksual dhe drejtim të një konspiracioni kriminal (rrjet të paligjshëm).

Në aktakuzë thuhet se me ndihmën e njerëzve nga shoqëria e tij dhe punonjës të bizneseve të tij, Combs ka ushtruar një model abuzimi ndaj grave dhe të tjerëve për një periudhë prej dy dekadash.

Sipas prokurorëve, gratë janë manipuluar që të marrin pjesë në akte seksuale nën ndikimin e drogës me punonjës meshkuj seksi, të cilat Combs i quante “Freak Offs”.

Për të mbajtur gratë nën kontroll, prokurorët thonë se Combs përdorte një përzierje ndikimi dhe dhune: ai u premtonte ngritje në karrierë nëse bënin atë që ai kërkonte — ose i largonte nga industria nëse nuk pranonin.

Dhe kur nuk merrte atë që donte, thuhet në aktakuzë, Combs dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin akte të dhunshme si rrahje, rrëmbime dhe zjarrvënie. Njëherë, thuhet se ai madje ka kërcënuar dikë duke e varur nga një ballkon.

Combs dhe avokatët e tij thonë se ai është i pafajshëm.

Ata pretendojnë se çdo marrëdhënie seksuale në grup ka qenë me pëlqim. Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë përpjekje për të detyruar njerëzit të bëjnë diçka kundër vullnetit të tyre dhe asgjë nga ato që kanë ndodhur nuk përbën një rrjet kriminal.

Gjyqi pritet të zgjasë të paktën tetë javë.