Në Komoran të Drenasit sot është hapur Festivali Kombëtar Folklorik “Plaku 2019”, i cili do të mbahet për dy ditë. Festivali i kushtohet gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Gashi, i njohur me emrin Plaku.
Festivalin e shpalli të hapur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili deklaroi se Festivali Kombëtar Plaku, nuk është vetëm i fshatit Komoran, është i përmasave kombëtare.“Festivali Kombëtar Plaku, nuk është vetëm i fshatit Komoran, është i përmasave kombëtare, sepse vet luftëtari i lirisë, njëri prej themeluesve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjeneral Plaku ishte personalitet i përmasave gjithëkombëtare.
Xheladin Gashi ishte edukatori, ishte luftëtari, ishte Palku, ishte i urti, ishte veprimtari, ishte aksionisti dhe në fund u kurorëzua me titullin Gjeneral i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti u shpreh se ndjehet shumë krenar që e ka njohur, që e ka pasur bashkëvepruar dhe ato kujtime gjithmonë i janë të freskëta.
“Unë ndihem shumë krenar që sot edhe Komorani, edhe gjithë Kosova dhe të gjitha festivalet kudo që organizohen kanë për çka të këndojnë. I këndojnë lirisë, i këndojnë UÇK-së, i këndojnë Gjeneral Plakut, i këndojnë Adem Jasharit, i këndojnë krenarisë, identitetit, dinjitetit, i këndojnë të ardhmes”, tha presidenti.
Gjeneral Xheladin Gashi – Plaku ishte aktivist i hershëm i çështjes kombëtare dhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton KosovaPress.