Deklaratat e kryetarit të KDTP’së dhe ministrit të MZHR-së, Fikrim Damka lidhur me incidentin më 9 shkurt në Prizren janë kundërshtuar nga njëra prej protagonisteve të kësaj ngjarjeje, përkatësisht viktimës Arda Maloku.
Maloku shtoi se kryeprokurori ka thënë se ka dyshime për dhunë ndaj një gruaje dhe kërcënim dhe se ka pasur pamje nga vendngjarja.
“Të gjithë dhanë dëshmitë e tyre. Po atë natë, Prokurori mori vendim për arrestim. Të nesërmen, Kryeprokurori, në deklaratën për shtyp, tha se ekziston dyshimi për dhunë ndaj një gruaje dhe për kërcënim dhe se pas dëshmive dhe pamjeve të marra nga vendngjarja ishte marrë vendimi për “ndalim”. Ai theksoi gjithashtu se kjo ngjarje nuk lidhet me politikën apo zgjedhjet, por mund të jetë një konflikt personal. Atëherë si mund të pretendohet se ky është një kurth kundër komunitetit turk dhe Damkës?”, tha ajo.
Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe familjari i tij, Fuat Damka, u arrestuan ditën e zgjedhjeve, 9 shkurt pasi të njëjtit dyshohen se kanë kanosur dhe sulmuar një grua.
Damka është parë sot prezent në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ndonëse fjalën nuk e mori.
Themelorja më shtatë mars i ndërpreu masën e arrestit shtëpiak Damkës dhe familjarit të tij.