Ekspertët dhe analistët politikë e shohin këtë seri deklaratash si përpjekje të Lukashenkos për të krijuar narrativë propagandistike.
Udhëheqësi bjellorus, Aleksander Lukashenko, ka habitur sërish opinionin publik me deklaratat e tij të çuditshme, këtë herë duke shprehur pakënaqësi se ujërat e lumit Pripyat po rrjedhin jashtë Bjellorusisë, drejt Ukrainës dhe më pas në Detin e Zi.
Gjatë një takimi më 18 nëntor për zhvillimin e rajoneve të Polesies, Lukashenko u shfaq i shqetësuar për fatin e ujërave të lumit, duke ngritur një pyetje që hidrologët e quajnë të pakuptimtë.
“Pripyat… Ku shkojnë këto ujëra? Do të ishte në rregull sikur Ukraina të përdorte plotësisht ujërat e Dnieprit… Por këto ujëra përfundojnë në det. Pse nuk po mendojmë sot t’i ‘kthejmë mbrapsht’ këto ujëra, kur të jetë e nevojshme dhe ku duhet?”, deklaroi ai para zyrtarëve.
Deklaratat e tij ngjallën habi dhe ironi, pasi ideja e “përmbysjes së rrjedhës natyrore të lumit” është praktikisht e pamundur, si dhe e ngjashme me projektet sovjetike të viteve ’70–’80, të cilat u braktisën për shkak të dëmeve të mëdha mjedisore.
Ky nuk është rasti i parë kur Lukashenko shfaq ide të pazakonta mbi burimet natyrore. Vetëm pak kohë më parë, gjatë një vizite në Rezervatin Biosferik të Berezinës, ai shprehu ëndrrën se një ditë Bjellorusia mund të shesë…ajrin e vet të pastër.
“Dhe do të vijë koha kur kjo Evropë që vjen erë do të na paguajë për ruajtjen e asaj që na ka dhënë Zoti”, deklaroi ai.
Ekspertët dhe analistët politikë e shohin këtë seri deklaratash si përpjekje të Lukashenkos për të krijuar narrativë propagandistike, ndërsa vendi përballet me presione të forta ekonomike dhe izolim ndërkombëtar.











